Pas sulmeve të liderit suprem të Iranit, presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar atij të bëjë kujdes. Në një reagim në “Tëitter”, Trump i kujton Hkamenei-t se ekonomia e Iranit po shkatërrohet për shkak të sanksioneve të perëndimit dhe ai duhet të bëjë kujdes me fjalët.
“I ashtuquajturi ‘Lider Suprem’ i Iranit, i cili nuk ka qenë aq suprem kohët e fundit, ka thënë disa gjëra të pista për ShBA-të dhe Evropën. Ekonomia e tyre po shkatërrohet dhe njerëzit po vuajnë. Ai duhet të jetë i kujdesshëm me fjalët.”, shkruan Trump.
Lideri suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei u shpreh një ditë më parë se me sulmet kundër bazave amerikane, Irani tregoi se ka mbështetjen hyjnore për t’i dhënë një shuplakë në fytyrë, një fuqie botërore.
“Fakti se Irani ka fuqinë për t’i dhënë një goditje të tillë një fuqie botërore, tregon se këtu është dora e Zotit”, tha ai.
Khamenei akuzoi armiqtë e Iranit për shfrytëzim të tragjedisë për të vënë në pikëpyetje Republikën Islamike, Gardën Revolucionare Islamike dhe forcat e armatosura, teksa sulmoi edhe një herë, Presidentin Donald Trump dhe Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, të cilët u shprehën në rrjetet sociale se mbështesnin protestuesit iranianë.
“Klounët amerikanë gënjejnë dhe shtiren sikur mbështesin popullin iranian”, tha ai.
Irani po përballet me protesta të vazhdueshme nga qytetarët e zemëruar për rrëzimin e avionit ukrainas me 176 pasagjerë.