Sociologu Ergys Mërtiri ka reaguar ndaj shkrimit në Hashtag.al, duke deklaruar se ai së bashku me Desada Metaj nuk bëjnë komplote.
Reagimi i Mërtirit vjen ndaj shkrimit të Hashtag.al se ai së bashku me Desada Metaj do jenë pjesë e zyrës së komunikimit të Lulzim Bashës.
Reagimi i plotë:
Faqja e Habjon Hasanit, Hashtag.al ka shkruar për mua se jam pjese e nje komploti, te organizuar nga Lulzim Basha dhe Desada Metaj, për të sulmuar armiqtë e Kryetarit të PD-së, në një rrjet të organizuar që do të bëjë propagandë me mjete formale dhe informale, deri tek profilet dhe portalet false. Për këtë madje unë, bashkë me dy miq të tjere te mi, paskemi marre premtimin per tu bere deputete.
Nuk dua fare t’i përgjigjem kësaj pocaqie, sepse nuk mund t’ia lejoj vetes të zbres në pusetat e gazetarie të tillë. Dua vetëm të siguroj miqtë e mi dhe ata që më njohin e respektojnë se kjo është thjesht një fantazi dylekshe. Nuk jam i përfshirë në asnjë grup apo angazhim në PD, dhe as kam kërkuar apo marrë ndonjëherë premtime për tu bërë deputet, madje as që kam ambicie të tilla. Nuk e di se cili është skuthi që fshihet duke gjuajtur nga pas ferre dhe nuk e di as se cilat janë qëllimet e tij. Di të them vetëm se nuk kam asgjë për të fshehur dhe se do të vazhdoj të them e shkruaj gjithmonë vetëm atë që mendoj.
Nuk është se më bëjnë fort përshtypje idiotësira të tilla, madje edhe më argëtojnë. Reagimin e bëra, kur pashë se njerëz që më respektojnë shpreheshin të kënaqur për lajmin duke më uruar për këtë. Nga ky aspekt, shpifësit më kanë ndihmuar, të paktën, të zbuloj se gëzokam një vlerësim më të madh se ç’e mendoja, gë më bën të ndjehem mirë!