Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro thotë se ai është i hapur për bisedime me Presidentin amerikan Donald Trump, me shpresën për të riparuar lidhjet me SHBA.
Në një intervistë për Washington Post, Maduro tha se ai do të donte të ulej me homologun e tij amerikan, duke sugjeruar që të dy vendet të përfitonin nga afrimi, bazuar në respekt të ndërsjellë.
“Nëse ka respekt midis qeverive, pavarësisht se sa të mëdha janë Shtetet e Bashkuara, dhe nëse ka një dialog, një shkëmbim informacioni të vërtetë, atëherë të jeni të sigurt që mund të krijojmë një lloj të ri marrëdhëniesh”- tha Maduro.
Presidenti venezuelas shtoi se Caracas është gati të hapë industrinë e saj të naftës për kompanitë amerikane nëse Uashingtoni heq sanksionet e ashpra ndaj sektorëve të naftës dhe financave të Venezuelës dhe pajtohet të ulë tensionet me vendin e Amerikës Latine.
Maduro e përshkroi politikën e SHBA-së si një “dështim“, duke thënë se Trump ishte mashtruar nga Sekretari i tij i Shtetit Mike Pompeo.
“Unë mendoj se Pompeo jeton në një fantazi. Ai nuk është një njeri me këmbët në Tokë. Unë mendoj se Trump ka pasur këshilltarë të tmerrshëm për Venezuelën. John Bolton, Mike Pompeo, Elliott Abrams kanë bërë që ai të ketë një vizion të gabuar.”– tha Maduro.