Deputetja e Partisë Demokratike Orjola Pampuri, ka reaguar lidhur me një kronikë të emisionit “Boom” në televizionin “Ora News”, ku dëshmohet burokracia me të cilën përballen të pastrehët, për të ngrënë një vakt falas në mensat sociale. Në video punonjësja sociale e thekson që duhet një “mal me dokumenta”.
“Erion Veliaj është kryebashkiaku mashtrues dhe me dy fytyra i Tiranës. Njërën fytyrë e ka për propagandën e shtrenjtë në ekrane, fytyra tjetër është ajo më pranë të vërtetës, shpërfillja e më të pamundurve deri në refuzimin e një pjate supë.
Emisioni invetigativ “Boom” i ka hequr maskën e bamirësit Erion Veliajt, i cili pati deklaruar se “në një qytet solidar askush nuk do të ngryset pa një pjatë të ngrohtë.”. Është e gjitha propagandë! Dyert e qytetit nuk janë të hapura për qytetarët e vet më në nevojë, nëse ata nuk kanë dorëzuar më parë një mal me dokumenta në shkëmbim të një pjate supë.
Faktet e ofruara nga emisioni investigativ “Boom” janë të pakundërshtueshme. Ju ftoj ta ndjekim me zëdhe figurë këtë mashtrim të pacipë të Erion Veliajt. “– shprehet Pampuri.
Ish-deputetja demokrate thotë se ka më shumë burokraci për të siguruar një pjatë në mensat sociale në Tiranë, sesa për të gjetur një punë. Ajo shton se uria nuk pret për të plotësuar dokumentacionin që kërkohet në mensat e kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Të sigurosh një pjatë në mencat sociale të Erion Veliajt është më e vështirë dhe ka më shumë burokraci se sa të gjesh një punë.
Në rrugët e Ttiranës në këto ditë të ftohta dimri gjen plot njerëz që enden rrugëve, të pamundur për t’u ushqyer apo për të siguruar një çati ku të shmangin të ftohtin. Ata i duhen kryemashtruesit të Tiranës vetëm për festa, që të verë përparësen, të marrë garuzhden, e të shesë një realitet të rremë, kur, në të vërtetë, pjatën e ngrohtë e pengon një mal me burokraci.
A mund të presë uria, nevoja për ushqim, kohën për të plotësuar dokumentacionin? A mundet një njeri që troket për të kërkuar një pjatë supë, të gënjejë për gjëndjen e tij, ndërsa punonjësja nuk i ofron ushqimin dhe kërkon të investigojë më tej për të përmes një komisioni!
Dikush që troket për t’u ushqyer në një mencë sociale do të thotë se ka prekur fundin dhe vendimi më i njerëzishëm është të mos refuzohet.
Banorët e Tiranës duhet ta mbajnë mend mirë këtë trajtim johuman të atyre që vuajnë për një copë bukë në kuptimin e parë të fjalës. Kjo është fytyra e vërtetë e Erion Veliajt, fytyra e zezë e një kryemashtruesit të pashpirt që kujdeset vetëm për t’i dhënë leje ndërtimi trafikantëve të drogës, klientëve të vet dhe të Edi Ramës.” -janë fjalët e Pampurit.