Minatorët e Bulqizës vijojnë revoltën e tyre ndaj kompanisë “AlbChrome” të biznesmenit Samir Mane. Ata kanë mbushur me shkrime muret e ndërtesave në Bulqizë, ku ankohen për varfërinë dhe për shfrytëzimin që u bën kompania e kromit.
“Ecim mbi pasuri, jetojmë në varfëri”– është një nga parrullat, ndërsa nuk mungojnë as thirrjet për kompaninë si: “AlbChrome kur do flasim?”.
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, e krijuar pak muaj më parë thotë se ka përpjekje për të shtypur sindikatën e minatorët e për të fshehur të vërtetën.
“MURET E BULQIZËS KANË NISUR TË FLASIN
Deri më sot muret e Bulqizës nuk kanë thënë asgjë. Ata kanë qenë bosh ose tek-tuk të shkarravitur. Nga sot, prej tyre shprehen disa të vërteta shpresëdhënëse (“SINDIKATA E RE, SHPRESË PËR BULQIZËN”), disa të vërteta të dhimbshme (“ECIM MBI PASURI, JETOJMË NË VARFËRI”) dhe ngrihen pikëpyetje të ndryshme që i mundojnë prej kohësh bulqizakët (“KUSH E VJEDH BULQIZËN?”).
Ndërkohë që të vërtetën e madhe për minatorët, për Bulqizën dhe për përpjekjen e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, përpiqen ta fshehin dhe ta shtypin, çdo hapësirë duhet përdorur për t’i dhënë zë të vërtetës sonë! Bashkohemi kundër skllavërisë!”– thuhet në një njoftim të SMBB-së.
Prej disa muajsh tashmë, sindikata e re e minatorëve e ka akuzuar kompaninë e kromit se po shfrytëzon punonjësit e saj me rroga të ulëta, shtim të orarit të punës e kushte të vështira në punë, ndërsa akuzat më të fundit janë edhe për pushim të padrejtë të anëtarëve të sindikatës.