Pas dorëzimit të emrit të mandatarit për kryeministër, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka pranuar se ende nuk kanë arritur një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Përmes një videoje në “Facebook”, Kurti tha se është i gatshëm për takime të reja me LDK-në, në mënyrë që të gjenden alternativa për arritjen e një marrëveshje për të bashkëqeverisur.
“Propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt fitues në zgjedhje e 6 tetorit kemi dashur ta dërgojmë te presidenti pas një marrëveshje me LDK-në. Në mbledhjen konstituive më 26 dhjetor shkova pa pasur një marrëveshje edhe te presidenti më 6 janar shkova pa marrëveshje paraprake. Dy javë pas takimi katër minutësh nuk kemi marrëveshje. Ne nuk e kemi pranuar propozimin e LDK-së, por jemi të gatshëm për takime tjera. E theksoj përsëri: nuk mund të kthehemi në të kaluarën, nuk mund të kthehemi në vitin 2019. Ata s’e kanë pranuar propozimin tonë të fundit, ndonëse, ndryshe nga dakordimi, nuk e trajtuan fare në Këshillin e tyre të Përgjithshëm. Qëndrimi se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pra, qasja ‘Merre ose lëre’, do të thotë lëre. Unë besoj se ne mund të kthehemi dhe e kemi detyrim ndaj të gjithë jush që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve, për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes sonë”, ka thënë Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes shtoi se e kanë filluar mandatin për qeverinë e re duke çliruar Kuvendin nga kapja ndërsa thekson se duhet të kthehen në tavolinën e bisedimeve me LDK-në. Në ditët në vijim ai do të takojë përfaqësuesit e pakicave.