Shtatëdhjetë e pesë të burgosur janë arratisur nga një burg në Paraguain lindor, afër kufirit me Brazilin.
Autoritetet dyshojnë se shumë prej tyre u lejuan të ecnin të lirë nëpër portën kryesore nga rojet e burgut.
Siç shkruan BBC, është zbuluar një tunel por zyrtarët thonë se ky mund të jetë edhe një mbulim për operacionin.
Dhjetra nga ata që u arratisën, i përkasin bandës më të madhe të organizuar kriminale të Brazilit, Komanda e Parë e Kryeqytetit (PPC).
Grupi me bazë në São Paulo ka pothuajse 30,000 anëtarë dhe është i përfshirë në trafik droge dhe armësh. Kjo bandë operon në të gjithë Brazilin dhe në Paraguai, Bolivi dhe Kolumbi.
Pas inspektimit të kompleksit të burgjeve në qytetin lindor të Pedro Juan Caballero të dielën, policia zbuloi se i gjithë blloku i anëtarëve të PPC-së ishte i zbrazët. Në njërën nga qelitë, ata gjetën rreth 200 çanta rëre.
Një i burgosur u kap kur ai u përpoq të largohej përmes tunelit. Ministri i Brendshëm, Euclides Acevedo tha se ishte e qartë se zyrtarët e burgut ishin të përfshirë.
“Ne gjetëm tunelin dhe besojmë se ishte një mbulesë për të legjitimuar ose fshehur lirimin e të burgosurve. Kishte bashkëpunim me njerëzit në burg”, tha ai në një deklaratë.
Ai shtoi se informacionet e inteligjencës sugjerojnë që të burgosurve u ishte lejuar të arratiseshin në grupe të vogla ditët e fundit dhe se kjo ndodhi pasi drejtori i burgut ishte në pushime vjetore.
Ministrja e Drejtësisë, Cecilia Pérez urdhëroi që të gjithë zyrtarët e burgut të pushohen nga puna dhe të arrestohen.