Detaje të reja zbulohen nga plagosja e çiftit në zonën e Alliasit, në Tiranë. Petrit dhe Afërdita Laze mësohet se kanë dalë nga gjendja e rrezikut për jetën.
Siç raporton Shqiptarja.com, 61-vjeçari që mori një plumb në bark është stabilizuar, pas daljes nga ndërhyrja kirurgjikale po ashtu edhe e gruas së tij, që ka një plagë në kofshë.
Mbrëmjen e kaluar persona të paidentifikuar u futën në banesën e çiftit për të grabitur, por u ndeshën në rezistencën e tyre dhe i qëlluan.
Ende nuk konfirmohet nëse autorët kanë marrë lekë në banesë. Gjatë momentit të tentativës për grabitje, e pranishme ka qenë edhe vajza e çiftit e cila ka hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen. Ndërsa djali i familjes nuk ndodhej. Ajo tha se ishin dy persona të maskuar, njëri prej të cilëve kishte armë.
“Ishin dy persona të maskuar dhe njëri kishte armë. Kishim planifikuar për të dalë jashtë Tiranës“- është shprehur vajza para grupit hetimor duke ngritur dyshimet se autorët janë të afërm ose fqinj të çiftit, pasi e dinin që ata kishin planifikuar të largoheshin nga banesa mbrëmjen e kaluar, por pati një ndryshim planesh në moment të fundit.
Një tjetër detaj që përforcon këtë pistë është edhe fakti që autorët kanë shkuar direkt në dhomën ku dyshohet se çifti mbante lekët.
Paraprakisht policia dyshon se në ngjarje janë përfshirë tre persona, dy u futën brenda për të grabitur, njëri me armë për të kërcënuar dhe tjetri për të kontrolluar, ndërsa i treti i priste jashtë me makinë për t’u larguar.
Familja Laze jetonte në katin e dytë të vilës, pasi i pari ishte biznes, një furrë buke. Banesa e çiftit Laze ka kamera sigurie dhe sistem alarmi. Por autorët kanë hyrë nga pjesa e pasme e vilës, pasi krahu tjetër nuk kishte kamera sigurie.