Aplikacioni mjaft i njohur Snapchat ka ndihmuar në gjetjen e një vajze 14-vjeçare, e cila ishte rrëmbyer nga tre burra.
CNN shkruan se 14-vjeçarja nga Kalifornia në Veri u drogua dhe u rrëmbye të martën nga tre burra, njëri prej të cilëve e sulmoi seksualisht të paktën dy herë.
Burrat e çuan vajzën rreth 40 milje larg Capitola-s ku ajo takoi njërin prej të dyshuarve. Gjatë kësaj kohe ajo u çorientua dhe nuk e kishte idenë se ku ishte, kështu që iu drejtua Snapchat-it, duke shtypur mesazhin: “Dikush të më ndihmojë. Unë jam në makinën e një njeriu… Unë nuk jam në Santa Cruz. Ku jam unë”.
Snapchat i lejon miqtë të ndajnë vendndodhjet e tyre me njëri-tjetrin nëse aplikacioni është i hapur në telefonin e tyre. Por lokacioni skadon pas disa orësh. Dhe është jashtëzakonisht i saktë.
Miqtë e viktimës ishin në gjendje të përcaktonin vendndodhjen e saj përmes aplikacionit dhe thirrën 911.
Oficerët e policisë në San Jose ishin në gjendje të gjenin vajzën përmes këtij aplikacioni dhe arrestuan Albert Thomas Vasquez me akuzën e rrëmbimit për të kryer përdhunim me një fëmijë nën 14 vjeç, me forcë.
Dy burrat e tjerë – Antonio Quirino Salvador dhe Hediberto Gonzalez Avarenga, u arrestuan me akuzën e rrëmbimit dhe komplotit.