Partia Demokratike i ka bërë thirrje prokurorisë të marrë të pandehur kryeministrin Edi Rama për foton e tij 80 mijë dollarëshe me ish-presidentin amerikane, Barack Obama.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Alibeaj tha se kreu i qeverisë ka shkelur ligjin për financimin prej 80 mijë dollarësh të fotos duke qenë se ato të holla nuk i ka deklaruar as ai dhe as Partia Socialiste.
Ai shtoi më tej se “bashkëshorti” i Ramës, Bilal Shehu dhe një tjetër shtetas amerikan janë në burg për këtë çështje dhe se drejtësuia shqiptare duhet të ndjekë të njëjtin standart.
Deklarata e Alibeajt
‘Edi Rama po dështon në strategjinë për të akuzuar opozitën për punët e pista që bën vetë. Dështoi me prokurorinë që e mbajti nën kontroll 2 vjet për një akuzë qesharake dhe të gënjeshtërt për të sulmuar Partinë Demokratike dhe liderin e opozitës. Dështoi me shqiptarët që e kanë bërë personazh mallkimesh dhe barcaletash, dështoi me mediat ndërkombëtare prestigjioze.
Të gjithë këta, shqiptarët, media dhe prokuroria politike e dinë për fakt të vërtetë, të provuar nga drejtësia amerikane, se fotoja e Edi Ramës me Barack Obamën është kryer përmes një kontributi të paligjshëm prej 80 mijë dollarësh.
Të gjithë e dinë së për atë foto, Edi Rama u paraqit si gruaja e shtetasti amerikan Bilal Shehu, i cili sot është i dënuar nga drejtësia amerikane, bashkë me shtetasin tjetër amerikan William Argeros, për përdorimin e fondeve të huaja në zgjedhjet amerikane.
Tre persona janë përgjegjës për foton e Edi Ramës me Barack Obamën, e cila u krye nëpërmjet një kontributi të paligjshëm prej 80 mijë dollarësh: Bilal Shehu, William Argeros, Edi Rama. Dy prej tyre janë tashmë të dënuar nga drejtësia Amerikane. I treti, Edi Rama, vijon të jetë mbi ligjin.
Sot, ironia për ta paraqitur Edi Ramën si “gruaja e Bilalit”, nuk mjafton. Ne jemi këtu për të theksuar se pas dënimit të dy bashkëpunëtorëve të tij, Bilali dhe Argeros, i takon Edi Ramës të merret si i pandehur, sepse shuma prej 80 mijë dollarësh, vjen nga një burim i paligjshëm dhe nuk është deklaruar as nga Edi Rama, as nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Qytetarët presin që drejtësia shqiptare të jetë e paanshme.
Për të nxjerrë të vërtetën e financimit të paligjshëm të fotos 80 mijë dollarëshe të Edi Ramës, sot kërkohet standardi i drejtësisë amerikane.’