Me miliona aziatikë që kanë udhëtuar të martën për festën e Vitit të Ri Lunar, autoritetet në Kinë konfirmuan që virusi i ri mund të përhapet përmes kontaktit me njerëz.
Siç shkruan Reuters, autoritetet konfirmuan se një person i katërt ka vdekur dhe se 15 pjesëtarë të personeli mjekësor ishin infektuar.
Viktima ishte një burrë 89-vjeçar i cili përpos virusit kishte edhe probleme të tjera shëndetësore, përfshirë sëmundje të zemrës. Ai ndërroi jetë në 19 janar.
Organizata Botërore e Shëndetit ka thirrur një takim për të mërkurën për të konsideruar shpalljen e një emergjence ndërkombëtare shëndetësore.
Në fund të ditës së hënë, numri i rasteve të konfirmuara në Kinë ishte rritur në 291, tha Komisioni Kombëtar i Shëndetit. Rreth 270 ishin në provincën e Hubeit, në Wuhan.
Virusi ishte përhapur edhe në qytete të tjera, me 15 raste në provincën jugore të Guangdong, pesë në kryeqytetin Pekin dhe dy në Shanghai.
“Informacioni në lidhje me infeksionet e raportuara rishtazi sugjerojnë se tani mund të jetë i transmetueshëm nga një njeri në tjetrin”– tha Drejtori Rajonal i OBSH-së për Paqësorin Perëndimor.
Autoritetet shëndetësore në të gjithë botën kanë filluar të rritin shqyrtimin e udhëtarëve që vijnë nga Kina. Dy raste janë identifikuar tashmë në Tajlandë, një në Japoni dhe një në Korenë e Jugut, ndërsa Filipinet raportuan të martën rastin e parë të dyshuar të këtij virusi.
Virusi mund të shkaktojë pneumoni, me simptoma si ethe dhe vështirësi në frymëmarrje. Meqenëse ato simptoma janë të ngjashme me shumë sëmundje të tjera të frymëmarrjes, nevojitet ekzaminim shtesë.