Chelsea dhe Arsenali ndanë nga 1 pikët në barazimin 2-2 në derbin e Londrës, ku për më shumë se 65 minuta “Topçinjtë” luajtën me një lojtar më pak, pasi David Luiz ndërhyri në mënyrë të gabuar si lojtar i fundit, duke i mohuar golin sulmuesit kundërshtar.
Një goditje e rëndë për skuadrën e drejtuar nga Mikel Artetat, që humbi një futbollist si dhe pësoi gol nga pika e bardhë e penalltisë, ku u tregua i saktë Jorginho (26’).
E pabesueshme sesi Chelsea, edhe pse me një lojtar më shumë, nuk përfitoi nga situata, përkundrazi, u ndëshkua nga talenti Martinelli në minutën e 63-të, pas një kundërsulmi të shpejtë.
Emocione të mëdha në fundin e sfidës, me blutë e Londrës që kaluan për herë të dytë në avantazh me golin e Azpilucuetas, por vetëm tre minuta para fundit të kohës së rregullt Bellerin barazoi rezultatin me një goditje prirët me portën, që nuk u kontrollua dot nga Kepa.
Rezultati nuk ndryshoi më në minutat e mbetura, me Chelsea-n që la dy pikë në këtë derbi të zhvilluar në “Stamford Bridge”, duke mos e shfrytëzuar superioritetin numerik për minuta të tëra.
Në sfidën tjetër, Manchester City kthehet te suksesi pas barazimit 2-2 me Crystal Palace. “Qytetarët” triumfuan 0-1 në fushën e Sheffield Utd, me gol të Sergio Agueros në minutën e 73-të.
Skuadra e Pep Guardiolës dominoi edhe gjatë pjesës së parë, madje fitoi edhe një 11-metërsh në minutën e 36-të, që nuk u shndërrua në gol nga Gabriel Jesus.
Gjithsesi, finalizimi i Agueros mjaftoi për të marrë maksimumin e pikëve në këtë transfertë të vështirë.
Aston Villa përmbysi epërsinë fillestare të Watfordit (shënoi Denney), duke fituar 2-1 brenda në “Villa Park” me gola të Luiz dhe Konsa.
Evertoni i drejtuar nga Carlo Ancelotti la dy pikë në “Goodison Park”, pasi pësoi dy gola brenda dy minutave në kohën shtesë nga Newcastle (dygolësh i Lejeune), duke barazuar në fund 2-2 (kishin shënuar Kean dhe Calvert-Lewin).
Në dy takimet e tjera, Crystal Palace u mposht 0-2 nga Southampton, ndërsa Bournemouthi fitoi 3-1 ndaj Brightonit.