Vendosni fjalën kyçe....

Bizneset po kërkojnë borxh për të shlyer borxhet


Bankat tregtare kanë vënë re se gjatë 3-mujorit të fundit të vitit 2019 ka një rritje të tendencës për kredi, të cilat do të shkojnë për shlyerje të borxhit. Një borxh i ri për të shlyer një borxh të vjetër është treguesi më real i vështirësive që po kalojnë bizneset për likuiditet.

Duke parë ketë tendencë negative kushtet e bankave për kreditimin janë shtrënguar më tej në tremujorin e fundit të vitit si pasojë e perceptimit në rritje për një rrezik të shtuar lidhur me aftësinë paguese të individëve dhe bizneseve, si edhe me ekzekutimin e kolateralit, vërejti Banka e Shqipërisë, pasi përpunoi opinionet e bankave.

Banka e Shqipërisë gjeti nëpërmjet vrojtimit se, nevoja për rifinancim borxhi është rritur me 18 për qind në tremujorin e fundit. Kërkesa për rifinancim për borxhin është një tregues i ri që nisi të matet nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2018.

Në tremujorin e fundit të 2019 nevoja për rfinancimin e borxhit pësoi rritjen më të madhe së paku që nga tremujori i dytë i vitit 2018, kur ky tregues nisi të matej.

Nga ana tjetër zhvillimet reale në kredinë bankare kanë qenë më të dobëta se parashikimet. Bankat prisnin që kërkesa për kredi i bizneseve të rritej në tremujorin e fundit të vitit, por në fakt kërkesa për hua ka shënuar rënie në raport me tremujorin paraardhës.

Si faktorë me ndikim në shtimin e kërkesës për kredi u raportuan nevojat më të larta për rifinancimin e borxheve ekzistuese dhe ristrukturimin e kompanive; si edhe financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues. Po ashtu, niveli i përgjithshëm i normave të interesit u perceptua si një faktor i favorshëm për zgjerimin e kërkesës për kredi.

Por edhe bizneset që janë drejtuar në banka më së shumti kanë kërkuar që të financojnë nevojat për likuiditet dhe të rifinacojnë borxhet se sa të investojnë. Kërkesa për kredi investimesh ka pësuar rënie. Me mbi 15 për qind në tre mujorin e fundit të 2019, ndërsa bankat kishin projektuar rënie kaq të fortë.

Për tremujorin e parë të vitit 2020, bankat u shprehën se presin një shtim të kërkesës për kredi nga ana e bizneseve, e shtrirë në të dyja kategoritë e madhësisë së biznesit, por e kufizuar vetëm në kreditë dhënë me qëllim mbulimin e nevojave për likuiditet. Kredia për investime, sipas gjykimit të bankave, pritet të jetë e ulët edhe në tremujorin e parë të vitit 2020.

Bizneset ulën kërkesën për kredi

Bankat janë më të prirura të japin hua, por nga ana tjetër janë bizneset që kanë ulur kërkesën për kredi, sidomos për investime. Ulja e kërkesës u ndikua nga ndjesia e bizneseve për situatën ekonomike dhe perspektivën e saj, si edhe nga besimi i biznesit dhe pritet të vazhdojë dhe në tremujorin e parë 2020. Në rënie ishte dhe kërkesa e individëve, si për kredi konsumatore, ashtu dhe për blerje banese, ndonëse kjo e fundit pritet të përmirësohet në pjesën e parë të këtij viti.

Banka e Shqipërisë ka publikuar Vrojtimin e Aktivitetit Kreditues për tremujorin e katërt, I cili bazohet në opinionet e bankave tregtare. Sipas vrojtimit, standardet e kreditimit për bizneset u lehtësuan disi në tremujorin e katërt të vitit 2019, si pasojë e lehtësimit në kategorinë e kredive dhënë për bizneset e vogla e të mesme.

Nga ana tjetër, kërkesa për kredi është perceptuar disi më e ulët nga një tremujor më parë, për të dyja kategoritë e madhësisë së biznesit, dhe veçanërisht e theksuar në kreditë me qëllim financimin e investimeve. Standardet e kreditimit u vlerësuan disi të lehtësuara edhe për individët, kryesisht në kreditë e destinuara për blerjen e banesave. Kërkesa për kredi e individëve në tremujorin e fundit të vitit u raportua më e ulët, në të dyja kategoritë.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *