Vendosni fjalën kyçe....

Cila është Katerina Sakellaropoulou, presidentja e parë grua në historinë e Greqisë (PROFIL)


Greqia ka zgjedhur për herë të parë në historinë e saj një presidente grua. Ekathimerini shkruan se Parlamenti zgjodhi sot ish-drejtuesen e Këshillit të Shtetit Katerina Sakellaropoulou, si presidenten e ardhshme të vendit me 261 vota.

Por kush është Katerina Sakellaropoulou?

Sakellaropoulou, është një eksperte e arsimuar në Francë në ligjin kushtetues dhe mjedisor.

Siç shkruajnë mediat greke, gjykatësja ka lindur në Selanik në vitin 1956. Pas përfundimit të studimeve për Drejtësi në Athinë në vitin 1978, ajo ka ecur me shpejtësi në hierarkinë e sistemit juridik grek. Ajo gjithashtu përfundoi një trajnim në Sorbonne, Universiteti i Parisit midis viteve 1989 dhe 1990, kur mori një pushim nga detyra në Këshillin e Shtetit (Gjykata Supreme e Greqisë).

Ajo u zgjodh njëzëri si kryetare e Këshillit të Shtetit në Tetor të 2018-ës, pas propozimit nga administrata e SYRIZA-s e asaj kohe.

Sakellaropoulou ka shërbyer si Presidente e Shoqatës Helenike për Ligjin e Mjedisit që nga viti 2015, dhe ka punuar në mënyrë aktive në raste të mëdha që përfshijnë mjedisin, duke përfshirë devijimin e lumit Acheloos në Thesali dhe ruajtjen e ndërtesave historike të refugjatëve në Avenue Alexandras, në Athinë.

Sakellaropoulou është autore e disa librave, ndërsa flet shkëlqyer edhe anglisht dhe frëngjisht.

Sa i përket jetës së saj personale, Sakellaropoulou është e divorcuar dhe nënë e një fëmije dhe jeton në Athinën Qendrore.

Kush e propozoi dhe si u prit kandidatura e Sakellaropoulou nga politika

63-vjeçarja Sakellaropoulou, fitoi mbështetjen e 261 deputetëve në parlamentin me 300 vende. Ajo u mbështet nga deputetët e partisë qeverisëse Demokracia e Re, nga opozita SYRIZA dhe aleanca e qendrës së majtë Lëvizja për Ndryshim (KINAL).

Ajo do të qëndrojë në postin e presidentes për 5 vjet duke filluar nga 13 Marsi, datë kur përfundon mandati i presidentit aktual, Prokopis Pavlopoulos.

Lideri kryesor i opozitës Alexis Tsipras, tha se Sakellaropoulou ishte një “gjykatëse e jashtëzakonshme” dhe mbrojtëse e të drejtave të njeriut.

Sakellaropoulou u propozua si presidente, nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis i cili njoftoi kandidaturën e Sakellaropoulou të mërkurën e kaluar, në një fjalim të befasishëm televiziv.

“Ka ardhur koha që Greqia të hapet drejt së ardhmes”, tha Mitsotakis, duke theksuar se propozimi i tij thyen traditën jo vetëm sepse Sakellaropoulou është grua, por edhe sepse ajo nuk është anëtare e asnjë partie politike. Ai tha se zgjedhja e Sakellaropoulout, “mishëron unitetin dhe përparimin”.

Presidenti në Greqi ka një rol kryesisht ceremonial dhe ka kompetenca të kufizuara politike. Për të zgjedhur presidentin e ri për një mandat pesë-vjeçar, duhen dyqind vota e ajo arriti të merrte shumë më shumë se aq. Plot 261 nga 300 deputetë votuan pro saj.

Çdo të thotë për Greqinë emërimi i Sakellaropoulou si presidente

Megjithëse zyra e presidentit është ceremoniale, zgjedhja e saj jep një sinjal të qartë se gjërat po ndryshojnë në Greqi në lidhje me barazinë gjinore.

Zgjedhja për zyrën më të lartë të vendit “nderon drejtësinë dhe gruan moderne Greke”, tha Sakellaropoulou gjatë emërimit.

“Unë pranoj propozimin dhe nëse zgjidhem, do t’i kushtoj të gjitha përpjekjet e mia për të kryer këtë detyrë të lartë, siç përcaktohet nga kushtetuta”- ishin fjalët e Sakellaropoulou pasi u propozua nga kryeministri.

Siç shkruan GR, një studim i kryer nga Qendra Kërkimore e Greqisë për Barazi Gjinore (KETHI) në Prill të vitit 2019 zbuloi se 72 përqind e Grekëve besojnë se vendit i duhen më shumë gra në politikë, dhe hezitimi i tyre për të marrë pjesë është i dëmshëm për vetë demokracinë.

Përqindja e grave që mbajnë poste ekzekutive në Greqi po rritet, por ajo është akoma nën nivelin e mesatares së Bashkimit Evropian. Sipas një studimi të Eurostat në Mars të 2019-ës, gratë përbëjnë vetëm 32 përqind të të gjitha pozicioneve menaxheriale në Greqi, ndërsa mesatarja e BE-së është 36 përqind. Gratë përbëjnë më pak se një të dhjetën e anëtarëve të bordit (vetëm nëntë përqind), ndërsa në BE pak më shumë se një të katërtën (ose 27 përqind).

Në këtë sfond, zgjedhja e Sakellaropoulou si Presidente, siguron një shtysë për gratë greke të sfidojnë sundimin pothuajse total të meshkujve në sferat e tjera të shoqërisë dhe ekonomisë.

VINI RE: Informacioni për këtë artikull bazohet në shkrimet e Ekathimerini dhe Greek Reporter/ Përshtati në shqip Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *