Sot kanë dalë të protestojnë që në orët e para të mëngjesit banorët e fshatit Hoxhare në njësinë administrative Dërmenas në Fier, për shkak se prej një muaji u janë hequr sahatet e energjisë elektrike nga banesat.
Ata thonë se kanë kërkuar shpjegim nga OSHEE-ja, dhe kanë marrë përgjigje se çdo gjë do të rregullohet por ka kaluar një muaj dhe nuk është bërë asnjë ndryshim. Banorëve u është kërkuar t’i paguajnë dritat afrofe, pavarësisht se sasia e energjisë që ata konsumojnë është më e vogël sesa shuma e afrofesë. Banorët thonë se u kanë ardhur dy fatura.
“Unë vete të paguaj lekët e dritave sot, unë sot nuk i paguaj dot. Ka ardhur faturë 3 mijë e 400, ka ardhur faturë 58 mijë lekë. Fatura ka ardhur afrofe, këtë s’e kuptoj. Vete të paguaj lekët sot, nuk i paguaj dot. “- ankohet një banor në një prononcim për Fax News.
“Jam interesuar aty ku paguaj paratë unë. Më thanë se kështu ka ardhur afrore. Unë s’e kuptoj pse e ndërrojnë sahatin. Sahatet i kemi pasur në rregull, erdhën dhe i hoqën. Meqë e hoqi ai, më tha mua do të vijnë dy fatura.”– vijon më tej banori.
Banorët thonë se sahatet u janë hequr pa i lajmëruar më parë, me premtimin se do iu vinin sahate të rinj por tani u kanë vendosur një shumë rreth 6 mijë lekë të reja për të paguar. Banorët shprehen të shqetësuar sepse nuk e dinë se sa kohë do vazhdojnë të paguajnë afrofe, kur harxhojnë shumë më pak se aq.
Ish-deputeti demokrat Luan Baçi, ka shkuar në mbështetje të banorëve. Ai thotë se po bëhet një vjedhje arrogante ndaj qytetarëve.