Banorët e ishujve grekë, ku gjendet një numër i madh i refugjatëve nga Lindja e Mesme, kanë protestuar kundër planeve të qeverisë për t’i zëvëndësuar kampet e refugjatëve me qendra paraburgimi.
Protestat u mbajtën në ishujt e Lesbos, Samos dhe Chios.
Protestuesit kërkuan që migrantëve tu lejohet të lëvizin në kontinentin evropian dhe refugjatëve tu lejohet që të largohen nga vendi.
“Ishujt nuk mund të jenë burgje. Së bashku me migrantët dhe refugjatët edhe ne jemi duke u burgosur”, tha Stratis Ververis, një nga protestuesit.
Më shumë se një milionë migrantë janë larguar nga konfliktet në Lindjen e Mesme për në Turqi, dhe nga aty, kanë kaluar në territorin grek.
Fluksi më i madh i hyrjeve të migrantëve ndodhi në vitet 2015-2016.
Vitin e kaluar, 59.726 migrantë dhe refugjatë arritën në brigjet e Greqisë, sipas Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara.
Organizatat humanitare i kanë përshkruar si të tmerrshme kushtet e jetesës së rreth 36.000 njerëzve në kampet greke.