Vendosni fjalën kyçe....

“Rama e KED-ja shkelën Kushtetutën në zgjedhjen e Metanit në krye të ILD-së, do zhbëjmë çdo paligjshmëri” – PD


Partia Demokratike ka denoncuar edhe sot zgjedhjen e Artur Metanit në krye të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Salianji, ka thënë se lidhja me krimin, hajdutëria e babëzia motivet që kanë shtyrë kryeministin Rama të kapë sistemin e ri të drejtësisë.

‘Opinioni publik është tronditur sot nga pamjet sesi kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës, i emëruar nga Edi Rama, është duke konsumuar kokainë. Kokaina, heroina, kanabisi, vjedhja, zhvatja janë cilësitë kryesore të kësaj bande që drejton sot vendin. Janë cilësitë e kryeministrit të Shqipërisë, që i ka klonuar tek emërimet e tij politike në pushtetin lokal dhe në administratën publike. Janë lidhjet me krimin, është hajdutëria dhe babëzia motivi kryesor që e ka shtyrë Edi Ramën të kapë sistemin e ri të drejtësisë, siç vulosi së fundmi, emërimin antikushtetues të vartësit të vet Artur Metani në krye të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, një prej organeve më të rëndësishme të drejtësisë.’ – tha Salianji.

Më tej demokrati shtoi se emërimi i Artur Metanit në krye të ILD-së është në shkelje të Kushtetutës duke qenë se personi në fjalë ka mbajtur funksione politike në 10 vitet e fundit.

Ai tha gjithashtu se edhe KED-ja e drejtuar nga Dvorani e Parlamenti kanë shkelur Kushtetutën pasi kanë qenë në dijeni të faktit që e ndalon Metanin të kandidonte për ILD-në.

‘Emërimi i paligjshëm dhe nul me dhunën e kartonave i Artur Metanit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të Drejtësisë”, i cili ndalon një jurist të emërohet Inspektor i lartë i Drejtësisë, nëse ai ka mbajtur funksione politike në administratën publike gjatë 10 viteve të fundit. Artur Metani është në kushtet e ndalimit kushtetues dhe ligjor, pasi ai ka qenë Këshilltar Juridik i Presidentit të Republikës, një pozicion që ligji për administratën publike e konsideron shumë qartë so funksion politik.  Edhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, edhe Parlamenti kanë shkelur me vetëdije  ligjet dhe Kushtetutën, duke qenë në dijeni të plotë të faktit ndalues se Artur Metani në 10 vitet e fundit ka qenë “funksionar politik”, si pjesë e Kabinetit të Presidentit të Republikës.’ – shtoi më tej Salianji.

Në fund, ish-deputeti tha se Rama e ka emëruar Metanin për t’u bërë presion gjyqtarëve e prokurorëve. Salianji tha gjithashtu se me Ramën s’mund të ketë drejtësi të pavarur dhe se PD-ja do zhbëjë çdo paligjshmëri dhe se të gjithë përgjegjësit do japin llogari para ligjit.

‘Rama ka zgjedhur që kontrollor të gjyqtarëve dhe prokurorëve të emërojë ish vartësin e tij dhe vëllain e deputetes së tij për ta përdorur për të kërcënuar gjyqtarë dhe prokurorë, kur ata të hetojnë apo gjykojnë dosjet e korrupsionit, të vjedhjes së votave nga qeveria e Edi Ramës apo që padrejtësinë ta kthejë në normë ndaj kundërshtarëve politikë.

Kushdo që kishte iluzionin që në këtë vend do të ketë drejtësi me Edi Ramën mori përgjigjen se Edi Ramës dhe shpurës së tij të hajdutëve dhe banditëve u duhet drejtësia nën kontroll për të ruajtur pronat  dhe paratë e vjedhura, se drejtësia është një armë politike për t’u përdorur për kundërshtarët e qeverisë, se familjarët, fisi dhe krushqitë e deputetëve të Ramës kontrollojnë sistemin gjyqësor për t’i shërbyer mbulimit të aferave dhe mbylljes së cështjeve gjyqësore në ngarkim të banditeve në pushtet apo të krimit të organizuar që ushqen me vota Edi Ramën.

Llogaritë i kanë bërë gabim, Rama sot është më i ekspozuar se kurrë para qytetarëve dhe partnerëve të Shqipërisë, Partia Demokratike garanton qytetarët se ne do të zhbëjmë çdo paligjshmëri. Do t’i japim vendit një qeveri që i shërben qytetarit dhe jo kriminelëve. Të gjithë do të japin llogari një më një para ligjit!’ – mbylli deklaratën Salianji.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *