Vendosni fjalën kyçe....

Raporti i OKB-së: Arabia Saudite hakoi telefonin e Jeff Bezos


Dy zyrtarë të OKB-së do të raportojnë këtë të mërkurë se kanë prova të mjaftueshme që sugjerojnë se Arabia Saudite ka hakuar telefonin e themeluesit të “Amazon”, Jeff Bezos dhe se Britania dhe SHBA-ja duhet të hetojnë.

Reuters shkruan se zyrtarët e Kombeve të Bashkuara po planifikojnë një deklaratë publike për të pohuar se ata gjetën një raport të besueshëm mjekoligjor të porositur nga ekipi i sigurimit të Bezos, i cili arriti në përfundimin se telefoni i tij me siguri ishte hakuar me një video të dërguar nga një llogari në “WhatsApp”, që i përkiste princit të kurorës saudite, Mohamed bin Salman.

Raporti i “FTI Consulting” arriti në përfundimin se sasi masive të të dhënave filluan të linin telefonin e Bezos rreth një muaj pasi video u dërgua në mes të vitit 2018, tha burimi për gazetën, duke mos pranuar të identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së subjektit.

Ekspertë të jashtëm të konsultuar nga OKB ranë dakord se provat ishin mjaft të forta për të garantuar një hetim më të plotë.

Raporti mund të përkeqësojë marrëdhëniet midis njeriut më të pasur në botë dhe mbretërisë që akuzohet se qëndron pas vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi në 2018-ën, i cili ka punuar si kolumnist për “Washington Post” që është në pronësi të Bezos.

“The Guardian” raportoi fillimisht përfshirjen e pretenduar të princit të kurorës. Gazeta britanike tha se mesazhi i koduar nga numri i përdorur nga princi i kurorës besohet të ketë dërguar një skedar me qëllim të keq që të depërtonte në telefonin e Bezos për t’i marrë të dhënat.

Ambasada e Arabisë Saudite në SHBA e hodhi poshtë raportin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *