Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u takua pak më parë me emisarin special të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell. Takimi u zhvillua në një nga restorantet e kryeqytetit. E presidenti Thaçi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook tha se në takim u bisedua për situatën politike dhe ekonomike në vend dhe rajon, si dhe për rinisjen e pakushtëzuar të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Një darkë pune me të Dërguarin e Posaçëm të Presidentit Trump për dialogun ndërmjet Republikës Kosovës dhe Serbisë, ambasadorin Richard Grenell. Ne biseduam për situatën politike dhe ekonomike në vend e rajon, si dhe për rinisjen e pakushtëzuar të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”- ka shkruar Thaçi.
Ai nuk harroi ta cekë se rolin e SHBA-së në proceset që po kalon Kosova dhe lidershipin e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
“Roli amerikan është i pazëvendësueshëm në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe ne do të vazhdojmë të jemi partner besnik i SHBA-së në jetësimin e interesave strategjike në Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, lidershipi i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, do të jetë vendimtar për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë”- shkruan Thaçi.
Krejt në fund, presidenti falënderoi ambasadorin Grenell për angazhimin e tij për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Faleminderit ambasador Grenell për angazhimin e shtuar për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tone”- përfundon Thaçi