Vendosni fjalën kyçe....

Tani peshkaqenët mund të ecin – Zbulohen specie të reja në brigjet e Australisë


Janë zbuluar disa lloje të peshkaqenëve që mund të ecin mbi rërë dhe shkëmbinj, përveçse të notojnë. Daily Mail shkruan se peshkaqenët janë gjetur në ujërat larg Australisë dhe Indonezisë veriore dhe kanë evoluar të përdorin katër fletët e tyre anësore për të lëvizur në të gjithë detin.

Ata gjithashtu kanë zhvilluar aftësinë për të mbijetuar në mjedise me pak oksigjen, që do të thotë se ato mund të lëvizin nëpër ujëra të cekëta dhe madje të dalin nga deti për të lëvizur në pishina apo pellgje në dallgë të ulëta.

Dr. Christine Dudgeon nga Universiteti i Queensland tha se këto janë rezultatet e një studimi 12 vjeçar mbi peshkaqenët nga agjencia e shkencës së Australisë CSIRO, në bashkëpunim me Muzeun e Historisë së Natyrës në Florida, Institutin e Shkencave Indoneziane dhe Ministrinë Indoneziane të Punëve Detare dhe Peshkimit.

Ndërsa ‘peshkaqenët me këmbë’ janë gjetur dhe më parë, studimi ka identifikuar katër specie të reja.

“Të dhënat gjenetike sugjerojnë se speciet e reja evoluan pasi peshkaqenët u larguan nga popullsia e tyre origjinale, u izoluan gjenetikisht në zona të reja dhe u zhvilluan në specie të reja”– tha Dr. Dudgeon.

“Është një adaptim unik dhe do të thotë se ata mund të shfrytëzojnë një habitat që grabitqarët e tjerë nuk munden… fletët e tyre u japin atyre një avantazh të mrekullueshëm mbi prenë e tyre të krustaceve dhe molusqeve të vegjël”- tha ajo.

Universiteti i Queensland mendon se ka më shumë lloje të ‘peshkaqenëve me këmbë’ që ende nuk janë zbuluar- thotë Dr. Dudgeon.

Ajo gjithashtu shton se njerëzit nuk duhet të shqetësohen nga ideja e peshkaqenëve të mëdhenj që shkojnë drejt plazheve të pushuesve.

“Mesatarisht më pak se një metër, peshkaqenët me këmbë nuk paraqesin rrezik për njerëzit”– thotë ajo.

Studimi u botua në Gazetën e Kërkimeve Detare dhe Ujërave të ëmbla të CSIRO-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *