Kreu i Komisioni të Ligjeve, Ulsi Manja, deklaroi ditën e sotme se Partia Socialiste nuk bëhet mburojë e askujt që bie ndesh me ligjin.
Ai iu referua çështjes më të fundit, videos së publikuar në media ku pretendohet se është kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla duke thithur kokainë në mjedis publik.
Manja ishte i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, duke i bërë thirrje SPAK-ut që të zbardhë sa më shpejt të vërtetën, duke deklaruar se ndërkohë Alla duhej pezulluar nga detyra deri në vendimin e drejtësisë.
‘Më lejoni të ndaj përgjegjësinë politike të PS me përgjegjësinë e institucioneve shtetërore dhe atë individuale të personave. PS e ka bërë të qartë se nuk bëhet mburojë për asnjë person publik, qoftë i zgjedhur në nivel vendor apo qendror, nëse bie ndesh me ligjin. Sa i përket përgjegjësisë së institucioneve shtetërore, askujt nuk mund t’i bëhet një gjyq publik, pa u shprehur agjencitë ligjzatuese. Pra, do duhet që Prokuroria të shprehet për rastin. Nëse prokuroria do dalë në konkluzionin se videoja është rast konkret, institucionet shtetërore duhet të marrin masa.’ – tha Manja.
Më tej, deputeti socialist tha se Alla duhej pezulluar deri në përfundim të hetimeve por jo të shkarkohej, ndërsa përgëzoi SPAK-un për nisjen e hetimeve.
‘Mendoj se rasti konkret, për sa kohë SPAK ka filluar hetimin dhe e përgëzoj, që ka reaguar shpejt, dhe e inkurajoj ta zbardhë një orë e më parë, që të mbyllet debati. Nëse kryebashkiaku është në konflikt me ligjin, është në përgjegjësinë e qeverisë të ndërmarrë të gjitha masat për ta shkarkuar nga detyra. Por, duhet të dimë cila është e vërteta. Është rasti të flasë drejtësia. Për përgjegjësinë morale është në ngarkim të vetë kryetarit të bashkisë. Duhet të kemi një hetim të paanshëm, të shpejtë dhe objektiv dhe derisa të flasë drejtësia kryebashkiaku mendoj se duhet të jetë i pezulluar. Por, nuk mendoj për shkarkim pa folur drejtësia’, shtoi ai.