Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion ka njoftuar sot nisjen e hetimeve ndaj kreut të bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, pas publikimit të një videoje sipas të cilës shihet duke konsumuar kokainë në një lokal.
Por çështja e regjistruar ndaj kryebashkiakut socialist nuk është për përdorim të lëndëve narkotike, por të tregtim sipas nenit 283 te kodit Penal.
Sipas Kodit Penal, mbajtja e substancave narkotike në doza të vogla për përdorim vetjak nuk dënohet. Ndërsa nëse vërtetohet se Alla ka marrë pjesë në aktivitetin e tregtimit apo transportimit të lëndëve narkotike, rrezikon të dënohet me burg nga 5-10 vjet, ndërsa në rast të përsëritjes së veprës penale rrezikon 7-15 vjet burg.
Puna e SPAK do të nisë nga sekuestrimi i videos së publikuar nga “ABC News”për të marrë më pas deklarimet përkatëse.
Alla i ka mohuar akuzat ndaj tij dhe e mohon të jetë ai personi që shfaqet në video.