Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar lidhur me vendimin e Këshillit të Europës, [ër ta çuar të ashtuquajtën “Paketë Antishpifje” në Komisionin e Venezias.
Sipas tij ky akt provon se dy projektligjet për median që kërkon të miratojë maxhoranca, cënojnë të drejtën e fjalës dhe të informimit.
“Përshëndes vendimin e marrë nga Komiteti i Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për ta çuar paketën e ashtuquajtur “anti-shpifje” në Komisionin e Venecias. Ky akt provon se dy projekligjet e kësaj pakete cënojnë drejtpërdrejtë të drejtën e fjalës dhe drejtën e informimit duke dëmtuar rëndë lirinë e mediave në Shqipëri.
Nga ana tjetër është e turpshme dhe e ulët që Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese i parlamentit kukull nën urdhrat e Ramës, ka rrëzuar dekretin e Presidentit pa reflektuar jo vetëm mbi verejtjet e tij, por edhe ato të komunitetit shqiptar të mediave dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare.
Pushteti aktual qendroi i shurdhër edhe ndaj qëndrimeve të Komisionit Europian që tregonin se mosreflektimi për këtë paketë dëmton procesin e integrimit europian.
Kjo indiferencë e kokëfortësi demonstron se Ramës nuk i intereson integrimi europian i vendit por vetëm mbijetesa e tij politike me çdo kusht, përfshirë këtu përpjekjen për t’ua mbyllur gojën mediave.”– shkruan Basha.
Komiteti i Monitorimit të Asmblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, i është drejtuar Komisionit të Venecias për të kërkuar prej tij një opinion lidhur me të ashtuquajturën “paketë antishpifje”. Në faqen zyrtare të komisionit të Venecias thuhet se dy ligjet që përmbajnë paketën Antishpifje do të shqyrtohen në mars.