Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka njoftuar sot hapjen e një konkursi ndërkombëtar për ndërtimin e një godine të re për bashkinë e Tiranës.
Siç tha Veliaj gjatë një fjalimi, godina e re e bashkisë do të jetë në Bulevardin e Ri, ndërsa shtoi se ndërtesa e vjetër e bashkisë do të vijojë punën dhe zyra e kryetarit do të mbetet po aty.
“Shpallim konkursin për ndërtesën të re të bashkisë së Tiranës për 1200 vende pune. Nuk do të humbim ndërtesën e vjetër, ajo do të vijojë të jetë selia e kryetarit të bashkisë. Ndërtesa klasike, bashkia ceremoniale do të vijojë që të jetë në zemër të qytetit. Godina që do të ngrihet do të jetë për stafin administrativ. Jemi në një bulevard që duhet të markohet nga institucionet publike, para se të zgjohet interesi privat. Në pjesën fundore të bulevardit do të kemi një shesh të ri ceremonial. Këtu bashkia ka disa prona, do të donim që propozimet që vijojnë për konkursin ndërkombëtar, të jetë një ndërtesë e aksesueshme.
Ky bulevard sot është xhiroja më e madhe dhe më e bukur në Tiranë, por nëse nuk animohet me jetë dhe të vijë biznesi, nuk do të kemi mundësi të paguajmë edhe kredinë për bulevardin. Jemi në negociata me qeverinë, që edhe në lagjet e reja të ketë institucione publike, si te “5 Maji”. Të çojmë edhe atje disa institucione. Do të hapim konkursin për Kinostudion dhe Kombinatin për të gravitur disa institucione. Një nga gjërat që parashikoj është rritja demografike e qytetit. “- tha Veliaj sot.
Disa ditë më parë përmes një postimi, Veliaj ftoi të gjitha kompanitë të marrin pjesë me projektet e tyre.
Vendimi i Veliajt për godinën e re, thyen edhe njëherë tjetër vendimin e kryeministrit Edi Rama që ndalon institucionet të zhvillojnë tendera gjatë kohës së gjendjes emergjente pas tërmetit të 26 nëntorit.