Vendosni fjalën kyçe....

Edi Rama: Kam dashur ta ndaj Kosovën, po aq sa Haradinaj donte të ndante princin Harry nga familja


Pas akuzave të homologut të Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeministri Edi Rama ka reaguar duke thënë se “Ramushi e ka kthyer shpifjen në pushkë”.

Në një prononcim për Top Channel, Rama bën një krahasim për dëshirën e tij për të ndarë Kosovën, me familjen mbretërore britanike.

 “Ramushi e ka kthyer shpifjen në pushkë qëkur ka lënë pushkën! Por nëse për pushkën i’a kam bëre të gjitha nderimet e mundshme dhe të merituara, për shpifjet nuk mund t’i bëj asgjë tjetër përveçse ta ftoj në gjykatën e Kosovës që t’u dalë për zot atyre që ka nxjerrë nga goja! Sepse ndryshe nga Ramushi dhe nga ai soj politikanësh qe s’kanë fijen e respektit as për fjalën, as për të vërtetën, as për publikun, unë nuk ulem dot në nivelin e shpifësit publik për ta luftuar berllogun me berllog! Pafytyrësi nuk është të shkosh në gjykatë për t’u mbrojtur nga një shpifës që të ka cënuar publikisht dinjitetin, po të përdoresh kanalet e komunikimit publik për të shpifur në mënyrë të përsëritur!

Nuk është akt i turpshëm t’i nënshtrohesh gjykimit të drejtësisë si viktimë e një shpifësi që të sulmon si tradhtar të kombit me fabrikime të ulëta, po turp është të bësh agresorin ndaj dikujt tjetër për të manipuluar opinionin publik duke fabrikuar gjëra krejt të paqena!

E vërteta është se unë kam dashur ta ndaj Kosovën, po aq sa ç’ka dashur Ramushi ta ndajë Princ Harryn nga Familja Mbretërore! Shkurt fjala, komandanti i djeshëm i UÇK-se Ramush Haradinaj, e ka merituar dhe do ta ketë për gjithë jetën respektin tim, për gjithçka i ka dhënë kauzës së lirisë së Kosovës, ndërsa politikani i sotëm Ramush Haradinaj, meriton vetëm keqardhjen time për bërllogun politik e gjuhësor ku ushtron veprimtarinë dhe pushtetin e tij.

Është dëshpëruese kur sheh se si politika qorre e Ramushit e ka dëmtuar keq Kosovën në sytë e miqve të saj të mëdhenj dhe i ka dhënë Serbisë një avantazh te vazhdueshëm në arenën ndërkombëtare në raport me Kosovën. Uroj që padia ime të vlejë për t’u hapur sadopak sytë atyre që kanë rënë pre e berllogut politik e mediatik të Prishtinës e të Tiranës”, thotë Rama.

Ndërsa ishte i ftuar mbëmjen e kaluar në emisionin “Open”, kryeministri në detyrë i Kosovës e konsideroi padinë e Ramës për shpifje si “të turpshme”, ndërsa thelloi akuzat ndaj tij.

U kërkoj falje popullit shqiptar. Padia e Ramës është një akt i turpshëm. Ai ka qenë ideator dhe ka lobuar për ndarjen e Kosovës.

Po ai ka qenë pro ndarjes. E ka thënë qartë në një emision që pro ndarjes ka qenë edhe presidenti Rugova. Ai ka lobuar në media, dhe me aktorë të tjerë në biseda me të huaj. Madje këtë bisedë e ka bërë edhe në tavolina ku unë kam qenë prezent.

Nuk e di pse bën këtë tallje dhe hajgare ndaj meje. Unë kam vuajtur, familja ime ka vuajtur për të mbrojtur kombin. Ndërsa kryeministri me marre dhe pafytyrësi bëri padinë i cili është akt i turpshëm.

Më lejoni t’ju them diçka. A ju duket mirë ju që Rama në takime me ndërkombëtarët ka sharë lidera kosovarë duke quajtur njërin gënjeshtar, njërin hipokrit dhe njërin neo-marksist. Ju duket mirë që Rama shan liderat e Kosovës?”- tha Haradinaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *