Këtë paradite Shoqëria e Transportit Ndërqytetas, ka dalë në protestë duke bllokuar terminalin në Kamëz që ka propozuar Bashkia e Tiranës.
Sipas përfaqësuesve të shoqërisë ata kanë humbur pasagjerët për shkak të zhvendosjes së terminalit, të cilët ua marrin linjat e paligjshme.
“Jemi të indinjuar nga ky rast. Dje ka patur dy furgona këtu dhe policia i shihte, dhe policia bashkiake dhe policia tjetër dhe nuk i bënin asnjë lloj procedimi. Për këtë jemi të shqetësuar. Transporti i paligjshëm vazhdon tek 21 dhjetori për Vlorë dhe për Fier. Kemi bërë kërkesa, kemi çuar letra të gjithë bashkarisht dhe askush nuk i ndëshkon, rrinë atje e punojnë për qejf, ne rrimë këtu. Tek Zogu i Zi vetura pafund për Shkodër. Akoma vazhdon te Shqiponja transporti i paligjshëm për Durrës. Bërtasin’ Durrësi, Durrësi’, i shohin të gjithë. Ç’është kjo. Ne për këtë kemi dalë.
Kërkojmë dhe nga ministria të shikojë me përparësi rregullin, linjat dhe oraret, si zbatohet dhe si bëhen. Ne sot kemi dalë të kërkojmë këto të drejta që janë më elementare për momentit.”– tha një nga përfaqësuesit e shoqërisë së transportit ndërqytetas.
Sipas tyre, qytetarët nuk kanë interes të shkojnë në Kamëz sepse u kushton më tepër kohë dhe preferojnë të marrin linjat e paligjshme.
Ata paralajmërojnë se do të vijojnë protestat nëse s’plotësohen kërkesat e tyre, ose në të kundërt do të bllokojnë qarkullimin.
“Ne do të presim. Ne më pas do marrim hapat tona. Asambleja e shoqatave do të mblidhet dhe do të shikojë deri në bllokim të terminalit, nbllokim të punës. Do jua themi dhe më vonë. Ne një afat do ta vendosim. Ky afat do jetë prej dy javësh që do i presim. Ne shpresojmë, ne kemi kërkuar edhe një gjë. Vëmë re që edhe bashkia dhe ministria, ne kërkojmë që si grup interesi apo si biznes të na pyesin dhe ne kur marrin një nisëm. Por s’po na pyesin fare.”- thanë më tej.