Vendosni fjalën kyçe....

Stakuan energjinë elektrike, OSHEE padit punonjësit e rafinerisë së Ballshit


Mëngjesin e sotëm është stakuar energjia elektrike në Ballsh dhe zonat përreth. OSHEE ka reaguar përmes një njoftimi, ku thotë se ky veprim është kryer nga punonjës të rafinerisë së Ballshit, të cilët kanë mbetur prej muajsh pa paga.

“Ju vëmë në djeni se sot në orën 08:30 është stakuar pa lajmërim dhe në mënyrë të paligjshme NST Poçem 35/6kV asset i Rafinerisë Ballsh ish-#ARMO (shoqëri private Bylis Energy) nga punonjësit e kësaj shoqërie.

Si pasojë e stakimit të energjisë, kanë mbetur pa energji 4 linja 6kV të rrjetit shpërndarës të #OSSH, të cilët furnizojnë konsumatorët, objektet e rëndësisë së veçantë si Ujësjellësi i qytetit Ballsh, objekte të prodhim shfrytëzimit të Naftës të zonës përrreth, popullatën e zonës si fshatrat Drizar, Kremenar, Kapaj, Selic, Gjerbes, Selic, Ceril, Fratar, Minaz, Kadurov, Bejar, Malas, fshatrat: Drizar, Kud, Corush, Fshati Freskia-Kabina Lamce,Fshatra: Klos, Hekal, Molaj dhe Poçem.”- thuhet në njoftimin e OSHEE-së.

Momentalisht janë pa drita 2784 abonentë dhe OSHEE thotë se ka bërë kallëzim ndaj punonjësve të kompanisë, duke theksuar se veprimi i tyre bie ndesh me ligjin.

“Pa energji elektrike aktualisht janë 2784 abonentë rurale, gjithashtu dhe fiderat të cilet furnizojnë puset e naftës në rafineri.
Ky veprim bie ndesh me ligjin e energjisë elektrike 43/2015 dhe akteve nënligjore të saj, kodin e shpërndarjes dhe rregulloren e shfrytëzimit të pajisjeve dhe impianteve elektrike pasi ka cënuar aktivitetet e rëndësishme të sektorëve strategjikë të shoqërisë OSHEE.

Shoqëria OSHEE Group Sh.A e përfaqësuar në terren nga Drejtoria Rajonale Fier ka bërë kallëzim në organet kompetente si një veprim që cënon integritetin e sistemit shpërndarës të energjisë elektrike në Rajonin Fier.”- thuhet në njoftim.

Punëtorët e Rafinerisë së Ballshit iu rikthyen sërish protestave në dhjetor, pasi kishin mbetur prej 3 muajsh pa paga dhe prej 9 muajsh pa iu derdhur siguracionet. Puna në uzinën e Ballshit është ndalur dhe ata shprehen se askush nuk u jep përgjigje për këtë situatë e mesa duket në shenjë proteste kanë arritur deri në stakimin e energjisë elektrike.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *