Presidenti Donald Trump tha sot se me shumë mundësi do ta paraqesë planin e tij të paqes për Lindjen e Afërt para vizitës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në Uashington.
“Ne do ta bëjmë publik ndoshta pak më përpara. Është një plan i shkëlqyer. Do të dëshiroja shumë të arrinim një marrëveshje”, deklaroi Trump në bordin e avionit presidencial “Air Force One”.
Autoriteti palestinez përsëriti të enjten kundërshtimin e tij për planin e paqes i propozuar nga Shtëpia e Bardhë, duke nënvizuar faktin se Donald Trump e kishte njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.
Palestinezët duan ta bëjnë Jeruzalemin lindor kryeqytetin e shtetit për të cilin aspirojnë, por Izraeli e konsideron Jeruzalemin si kryeqytetin e tij të unifikuar dhe të pandarë.