Ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Selim Belortaja u ka bërë thirrje shqiptarëve që të anulojnë vizitat e tyre në Kinë për shkak të rrezikut për t’u prekur nga koronavirusi i ri, i cili deri më tani ka marrë 41 jetë njerëzish.
Përmes një shkrimi në “Facebook” Belortaja përshkruan situatën dramatike që Kina po kalon aktualisht. Ai vetë shfaqet në foto me një maskë në fytyrë, ndërsa pas shihet qyteti i boshatisur.
“Të dashur miq e bashkëkombës kudo ku jeni. Siç e dini Kina po kalon nje situate dramatike. Coronavirusi jo vetëm po merr jetë njerëzish por për shkak të potencialit të një rreziku në permasa që mund të imagjinohen, po shtrëngon autoritetet të zbatojnë masa super të rrepta per frenimin e epidemisë, si mbyllje e transportit, superkontroll i lëvizjes se njerëzve, anulim i festimeve e grumbullimeve, si dhe disa shërbimeve publike në disa qytete, tashmë edhe përtej provincës Hubei dhe kryeqendrës Wuhan ku virusi shpërtheu dhe beteja eshte perqendruar. Numri faktik i vdekjeve nuk e shfaq mirë potencialin e rrezikut që është pranuar edhe nga OBSh dhe qe potencialisht mund të agravojë ne ditet ne vijim. Autoritetet dhe mjekësia ketu po punojne heroikisht. Këshilloj fort që, derisa situata te merret plotësisht nen kontroll, udhëtimet dhe kontaktet fizike me Kinën ti shtyni për më vonë! Ju lutem informohuni sa më mirë e binduni vetë para se ti hyni nje situate me shume rrezik nga virusi por edhe të papritur per shkak te kontrolleve te pazakonshme”, shkruan ambasadori Belortaja.
Numri i vdekjeve nga shpërthimi i koronavirusit të Kinës është rritur sot në 41 nga 26 që ishin një ditë më parë. Sipas Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë në Kinë, numri i rasteve të konfirmuara në vend me virusin vjekjeprurës është 1,287. Së bashku me rastet e konfirmuara në shtete të tjera, numri i të prekurve e kalon 1300-ën.
Virusi është zbuluar gjithashtu në Tajlandë, Vietnam, Singapor, Japoni, Kore të Jugut, Tajvan, Nepal, Malajzi, Francë, Shtetet e Bashkuara dhe Australi.