Vendosni fjalën kyçe....

‘Mund të jemi partnerë shumë efektivë më Izraelin’ – Meta intervistë për gazetën izraelite gjatë qëndrimit në Jeruzalem


Presidenti Meta takon homologun e tij izraelit, Reuven Rivlin

Drejtuesit e 49 vendeve u bashkuan këtë javë në Jeruzalem për ceremonitë që shënuan 75-vjetorin e çlirimit të Aushvicit. Por vetëm një vend europian, Shqipëria, mund të pretendojë se kishte më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore, sesa kur filloi ajo, shkruan ‘The Times of Israel’.

Gazetari amerikano-izraelit, Larry Luxner, editor i lajmeve në ‘Washington Diplomat’, intervistoi Presidentin e Shqipërisë, Meta, për gazetën me te madhe izraelite ‘The Times of Israel’.

Luxner ka bërë një bisedë të gjatë me presidentin Meta, që përfshin një sërë çështjesh, përfshirë edhe vizitën 2-ditore në Izrael.

Presidenti Meta e gazetari Luxner

‘Unë jam këtu sepse nuk duhet të harrojmë kurrë. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të tregojmë solidaritetin tonë me ata që vuajtën kaq shumë dhe humbën jetën gjatë Holokaustit. Ne gjithashtu duam të nderojmë të mbijetuarit që dëshmuan këtë gjenocid, dhe t’i dërgojmë një mesazh të qartë kujtdo që promovon përjashtimin, urrejtjen dhe dhunën se antisemitizmi nuk ka vend në shoqëritë tona. Në këtë Forum unë përfaqësoja Shqipërinë, e cila ishte unike jo vetëm për mbrojtjen dhe shpëtimin e të gjithë hebrenjve të saj, por edhe për mbrojtjen e mijëra hebrenjve të tjerë që erdhën në Shqipëri nga vende të ndryshme për të mos u shfarosur.’ –  thotë Meta gjatë intervistës me Luxner.

Ky i fundit shkruan më tej në artikull se pohimi i presidentit Meta mbështetet në fakte të patjetërsueshme historike. Pothuajse të gjithë 300 hebrenjtë e Shqipërisë mbijetuan nga pushtimi nazist gjerman falë myslimanëve dhe të krishterëve vendas, të cilët strehuan më shumë se 2 mijë refugjatë hebrenj në shtëpitë e tyre, shpesh duke rrezikuar jetën e tyre.

 ‘Ishte detyrimi ynë për ta bërë këtë.Por ne shpresojmë që kjo lidhje e madhe midis kombeve tona do të rezultojë në një marrëdhënie më produktive për të ardhmen. Ne mund të mësojmë shumë nga Izraeli dhe gjithashtu të jemi partnerë shumë efektivë, veçanërisht në çështjet e sigurisë, sepse përballemi me kërcënime si terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.’ – thotë më tej Meta.

Vizitë historike

Kjo është vizita e dytë e Presidentit Meta në Izrael; e para e tij ishte si Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, në vitin 2014. Këtë herë, ai jo vetëm që u takua me homologun e tij, Reuven Rivlin, por e ftoi në Shqipëri.

Nëse Rivlin do e vizitojë Shqipërinë këtë vit, siç edhe pritet, ai do të hyjë në histori si Presidenti i parë izraelit që viziton zyrtarisht Shqipërinë.

I ndjeri Shimon Peres udhëtoi për në Tiranë në 1994, tre vjet pasi dy vendet vendosën marrëdhënie diplomatike, por si Kryeministër, jo si President. Në korrik 2018, zyrtarët në kryeqytetin shqiptar kushtuan një memorial në kujtim të tij.

Presidenti Meta tha se duhet të bëhet një dallim i qartë midis politikave armiqësore anti-izraelite të diktaturës tiranike të Enver Hoxhës dhe ndjenjave të njerëzve të zakonshëm ndaj hebrenjve.

‘Megjithë retorikën e regjimit komunist kundër Izraelit gjatë asaj kohe, populli hebre në Shqipëri ishte shumë i respektuar dhe i integruar mirë në vendin tonë. Një nga mësuesit e mi më të mirë, Marlena Dojaka, ishte hebreje, dhe ne jemi akoma në kontakt. Hebrenjtë ishin ndër intelektualët më të mirë të Shqipërisë.’ – shton Meta gjatë intevistës së tij.

Kur komunistët u rrëzuan në fillim të viteve 1990, praktikisht të gjithë hebrenjtë emigruan në Izrael. Sot, ata dhe pasardhësit e tyre këtu numërojnë rreth 550 persona, thotë drejtuesja e komunitetit Felicita Jakoel, e cila ishte një nga dhjetëra hebrejtë e bashkësisë  izraelito-shqiptare që u takuan me Presidentin Meta para intervistës time, shkruan gazetari Luxner, i cili thon se organizuesi i atij takimi ishte Bardhyl Canaj, ambasadori i Shqipërisë në Izrael.

Rreth 70% e 3 milionë banorëve të Shqipërisë ushtrojnë Islamin, një shifër që rritet në 90% në Kosovën fqinje, një ish-provincë autonome e Serbisë që shpalli pavarësinë në mënyrë të njëanshme në vitin 2008. Ndërsa hebrenjtë kurrë nuk përjetuan antisemitizëm në Shqipëri e Kosovës, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për pjesën tjetër të Evropës.

‘Kjo është e papranueshme. Nëse ne tolerojmë antisemitizmin, ai mund t’i rrezikojë të gjithë, jo vetëm hebrenjtë. Gjatë Holokaustit, gjashtë milionë hebrenj u vranë. Por të gjithë që i ‘braktisën’ hebrenjtë, në fund e kuptuan se kushdo mund të jetë viktimë e politikave të tilla.’ – thotë Meta gjatë bisedës me gazetarin Luxner.

Presidenti Meta takon ushtarët izraelitë që ndihmuan Shqipërinë pas tërmetit

Përpjekjet për rikuperimin e tërmetit vazhdojnë

Meta tha se miqësia e Izraelit me Shqipërinë u shfaq më 26 nëntor 2019, kur republika Ballkanike u godit nga një tërmet 6.4 ballësh që vrau 51 njerëz. IDF (ushtria izraelite) menjëherë dërgoi një ekip të specializuar për të nxjerrë të mbijetuarit dhe për të përcaktuar nëse banesat dhe ndërtesat nga ana strukturore ishin të sigurta pas tërmetit.

‘Ka pasur dëme të mëdha dhe për fat të keq patëm 51 jetë të humbura gjatë kësaj tragjedie. Por ne jemi të vendosur për t’u përballur me këtë krizë humanitare dhe kemi dhënë ndihmë për të gjithë njerëzit që vuajtën gjatë tërmetit.’ – thotë Meta.

I pyetur se çfarë i bëri përshtypje më shumë gjatë dy ditëve të qëndrimit në Izrael, Meta u përgjigj shpejt: ‘Shkolla ‘Lauder’ e Qeverisë, Diplomacisë dhe Strategjisë, një departament i IDC Herzliya. Më thanë që disa dekada më parë, shkolla përbëhej nga vetëm disa mjedise të vjetra. Por falë vizionit të Izraelit për të promovuar arsimimin e standardeve më të larta, ai u shndërrua në një institucion udhëheqës, jo vetëm në Izrael, por ndërkombëtarisht. Kjo është fuqia e shndërrimit që ka populli izraelit dhe kjo është diçka që duhet të mësojmë ne si shqiptarë, si ta shndërrojmë vendin tonë në të ardhmen.’ – shton Meta.

Presidenti Meta e anëtarja e bashkësisë shqiptaro-izraelite, Felicita Jakoel

Rebusi ‘Kosovë’

Një nga qëllimet e gjata të Shqipërisë është të anëtarësohet në Bashkimin Europian.Por kjo ëndërr ende nuk është realizuar. Rruga për në Bruksel ka qenë e mbushur me pengesa dhe e fundit erdhi në mes të tetorit 2019 kur presidenti francez Macron bllokoi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nga fillimi i bisedimeve të anëtarësimit me arsyetimin se nuk kishin bërë sa duhet në lidhje me politikat ekonomike, respektimin e lirive dhe të drejtave tënjeriut, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit, shkruan Luxner.

‘Ne jemi shumë të vendosur për t’u anëtarësuar në BE. Është e vërtetë që Presidenti Macron ka kërkuar të rishikojë metodologjinë e zgjerimit të BE-së dhe shpresojmë që kjo metodologji të rishqyrtohet shumë shpejt. Unë fola me të nëntorin e kaluar kur isha në Paris. Ne jemi në kontakt me BE-në dhe shpresojmë që së shpejti ajo do i hapë rrugë vendimeve pozitive për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.’ – thotë Meta.

Para përfundimit të intervistës, Meta u pyet nëse Shqipëria po punon prapa skenave për të nxitur vendosjen e lidhjeve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit.

‘Kosova dhe Izraeli kanë një miqësi të madhe. Ne dëshirojmë dhe shpresojmë që Izraeli ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur. Unë nuk mund të flas në emër të secilit vend, por ka simpati të madhe midis kosovarëve për hebrenjtë dhe anasjelltas. Shpresoj se do të vijë koha. Deri atëherë, të gjitha mundësitë për bashkëpunim dhe zhvillim dypalësh duhet të shfrytëzohen.’ – mbyll intervistën Presidenti Meta.

*Rreth autorit: Gazetari amerikano-izraelit, Larry Luxner ka lindur në Miami, SHBA. Ai është gazetar dhe fotograf veteran, ka raportuar nga më shumë se 100 vende në Amerikën Latine, Afrikë, Evropë Lindore, Lindjen e Mesme dhe Azi për një shumëllojshmëri mediash. Luxner është editor editor i lajmeve në ‘Washington Diplomat’, dhe shkruan rregullisht për ‘The Times of Israel’, ‘Washington Diplomat’ dhe media të tjera ndërkombëtare.

VINI RE: Ky shkrim është pronësi intelektuale e The Times of Israel

49 liderë botërorë, përfshirë presidentin Meta, mblidhen në Yad Vashem të Jeruzalemit për Forumin Botëror të Holokaustit 2020


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *