Vendosni fjalën kyçe....

Kardinali gri i Putinit largohet nga Kremlini, përplasja pas ndryshimit të kursit ndaj Ukrainës


Media ruse po gumëzhin pas raporteve se Vladislav Surkov, ish-zv. kryeministër, ish-zv. shefi i administratës presidenciale dhe këshilltari më me ndikim e jetëgjatë i presidentit Vladimir Putin, është larguar nga shërbimi qeveritar.

Raportet citojnë bashkëpunëtorin e ngushtë të Surkov, Alexey Chesnakov, i cili, duke shkruar në ‘Telegram Channel’, tha se Surkov-i u largua nga posti i tij, si këshilltar i presidentit Vladimir Putin, ‘në lidhje me ndryshimin e kursit në politikën ndaj Ukrainës’.

Ai vuri në dukje se Surkov-i premtoi se do zbulojë hollësitë dhe do flasë për planet e tij të ardhshme të karrierës muajin tjetër.

Chesnakov-i më vonë tha se vetë presidenti do të vendosë se kur do bëhet publik njoftimi, por asgjë nuk do të ndikojë në vendimin e Surkov-it.

‘Unë e di këtë nga vetë Surkov-i’ shtoi ai.

Sidoqoftë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha të shtunën pasdite, se komenti për ndryshimin e strategjisë së Moskës në Ukrainë është i pavërtetë. Deklaratat në lidhje me këtë ‘pasqyrojnë vetëm këndvështrimin personal të atyre që flasin për të’, këmbënguli ai, duke theksuar se ishte mendimi privat i një personi të veçantë.

Surkov-i u konsiderua ‘njeriu kyç’ i administratës presidenciale në Ukrainë. Ai e shoqëroi Putin-in në Paris, muajin e kaluar për bisedime paqeje, nën Formatin e Normandisë, ku morën pjesë udhëheqësi ukrainas Volodymyr Zelensky, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron.

Gazeta moskovite ‘Kommersant’raportoi të shtunën në mbrëmje se detyra e Ukrainës do i dorëzohet Dmitry Kozak, i cili u emërua zv. Shefi i Shtabit të Kremlinit këtë javë. Kozak ka lindur në Ukrainë dhe vlerësohet se është në favor të marrëdhënieve të përmirësuara me Kievin.

Shpesh i quajtur ‘kardinal gri’ i politikës ruse, Surkov-i hyri në Kremlin në vitin 1999 dhe ka qenë gjithnjë i pranishëm që atëherë në role të ndryshme. I lindur në Lipetsk, ai i ka magjepsur analistët dhe gazetarët brenda dhe jashtë Rusisë. Ai flet anglisht rrjedhshëm dhe njihet si admirues i Allen Ginsberg dhe poetëve të tjerë amerikanë nga Beat Generation.

Në shkurt të vitit të kaluar, Surkov-i tërhoqi jo pak vëmendje kur botoi esenë, ‘Shteti i gjatë i Putinit’, në gazetën ‘Nezavisimaya Gazeta’ të Moskës, e cila u përpoq të përcaktonte ‘Putinizmin’ si një sistem politik.

Thashethemet e largimit të tij nga Kremlini kanë qarkulluar në Moskë për vite me radhë dhe raportet e fundit ka të ngjarë të mbeten të pasigurta deri sa të ketë një njoftim zyrtar të qeverisë.

*Beat Generation: Lëvizje rinore në vitet 1950 dhe fillimi i viteve 1960 që refuzuan shoqërinë konvencionale, duke vlerësuar vetëshprehjen e lirë dhe duke favorizuar xhazin modern. Midis shkrimtarëve të lidhur me lëvizjen ishin Jack Kerouac dhe Allen Ginsberg.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e RT


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *