Donald Trump ka hyrë në histori si presidenti i parë amerikan që ka marrë pjesë në tubimin më të madh të lëvizjes kundër abortit.
Ai iu drejtua mijëra protestuesve në “Marshimin për Jetën” pranë Kapitolit të SHBA-së, ku po vazhdon gjyqi ndaj tij.
“Ne jemi këtu për një arsye shumë të thjeshtë: të mbrojmë të drejtën e çdo fëmije të lindur dhe të palindur për të përmbushur potencialin e tyre të dhënë nga Zoti”- tha Trump, citon BBC.
Demonstrata vjetore filloi së pari në vitin 1973, vit kur Gjykata Supreme e SHBA legalizoi abortin në Roe v Wade.
Deri më tani asnjë president nuk kishte marrë pjesë në marshimin, i cili zhvillohet vetëm pak hapa larg nga Shtëpia e Bardhë. Megjithëse presidentët e mëparshëm republikanë, përfshirë këtu George W Bush dhe Ronald Reagan, e kanë mbështetur grupin në distancë.
Po ashtu, Mike Pence u bë zv.presidenti i parë në detyrë, që mori pjesë në miting në 2017-ën. Pjesëmarrja e Trump-it në tubi i kënaqi protestuesit të cilët bërtisnin “edhe katër vjet” dhe “ne të duam”.
Të krishterët ungjillorë dhe konservatorë të tjerë janë një pjesë kryesore e bazës së mbështetësve të presidentit. Por grupet pro abortit, e kanë konsideruar pjesëmarrjen e tij si një taktikë shpërqendrimi.