Turqi ka kthyer mbrapsht një pasagjere nga Kina, për shkak të frikës se ajo mund të jetë prekur nga koronavirusi kinez.
Ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca, tha dje se gruaja u transportua pas kërkesës së saj.
“Siç e dini, një shtetase kineze që ishte ankuar për marrje mendsh, dhimbje koke dhe ankth në rrethin Büyükçekmece të Stambollit u izolua nga pacientët e tjerë si një masë paraprake të mërkurën në mbrëmje, pasi u zbulua se ajo ishte nga Wuhan-i”– tha Koca në një konferencë për shtyp, citon Daily Sabah.
Koca tha se megjithëse gjendja e përgjithshme e pacientes ishte e mirë, çështja e saj u konsiderua e dyshimtë për shkak të historisë së saj të udhëtimit.
“Ne e dërguam atë përsëri në Kinë këtë mëngjes me kërkesën e saj.”– tha ministri.
Autoritetet turke nuk kanë raportuar ende një rast të koronavirusit gjatë ekzaminimit të udhëtarëve nga Kina në aeroporte.
Për shkak të shpërthimit të koronavirusit të padëgjuar më parë, udhëtarët nga Kina janë duke u ekzaminuar në disa aeroporte nëpër botë.