Jordan Belfort, ish-ndërmjetësi i aksioneve, historia e të cilit frymëzoi filmin “Ujku i Wall Street”, është duke paditur prodhuesit e filmit për 300 milionë dollarë.
Roli i Belfort u luajt nga Leonardo DiCaprio në film, i cili u nominua për “Oscar”. Ai pretendon se “Red Granite Productions” kishte gënjyer se ishte “financuar sipas ligjit” kur ai i shiti të drejtat për historinë e tij.
Avokati i kompanisë e përshkroi padinë e Belfort si “të dëshpëruar dhe jashtëzakonisht ironike”. Bashkëthemeluesi i “Granit Productions”, Riza Aziz u arrestua vitin e kaluar me dyshimin për pastrim parash.
Siç shkruan BBC, Belfort pretendon se Aziz “po i fsheh këto akte kriminale dhe burime financimi prej tij”.
Prodhuesi i Hollivudit, Aziz, është stërnipi i ish-kryeministrit të Malajzisë Najib Razak. Ky i fundit akuzohet se ka marrë 700 milion dollarë në llogarinë e tij personale bankare nga kompania 1MDB, e drejtuar nga qeveria malajziane, që financoi filmin.
Filmi, i cili është suksesi më i madh deri më sot i regjisorit Martin Scorsese, u bazua në librin e Belfort ku përshkruhet ngritja e tij si një tregtar i ri i aksioneve të New York-ut në fund të viteve 80, dhe rënia e tij pas përdorimit të drogërave, korrupsionit, grave.
Belfort, i cili kaloi 22 muaj në burg për krimet e paraqitura në filmin e vitit 2013, tani dëshiron ta bëjë marrëveshjen e të drejtave të tij të pavlefshme, duke pretenduar se ai kurrë nuk do ta kishte bërë po ta dinte se nga vinin paratë.
Shuma që pretendon Belfort prej 300 milion dollarësh është e njëjtë me shumën që ka arritur të mbledhë filmi.