Vendosni fjalën kyçe....

2 muaj pas tërmetit gjendja në Durrës mbetet e rëndë, banorët ecejake në zyrat e shtetit


Pavarësisht se nga tërmeti i 26 nëntorit kanë kaluar 2 muaj, banorët e Durrësit, një nga qytetet më të goditura nga tërmeti, nuk kanë ende asnjë njoftim se kur do të kthehen në banesat e tyre, ndërkohë që rindërtimi i tyre nuk ka nisur ende, raporton Balknweb.

Në qytetin bregdetar ka blloqe të tëra banimi që janë të braktisur ndërkohë që banorët e prekur janë strehuar te të afërmit apo në banesa me qira. Qindra qytetarë qëndrojnë në radhë në bashki për të pritur bonusin e qerasë, i cili është bllokuar prej 30 dhjetorit nga qeveria që nuk i ka lëvruar fondet bashkisë së qytetit.

Ndërkohë në muajin shkurt banorët e strehuar në hotele duhet të largohen. Sipas informacioneve zyrtare nga bashkia e Durrësit, aktualisht në hotele ndodhen 1231 persona (rreth 380 familje) nga 3000 persona që ishin të strehuar në dhjetor, por kjo shifër përditësohet vazhdimisht.

Në Bashkinë Durrës ka 589 familje që jetojnë në çadra, ose 2387 persona gjithsej. Deri më sot janë miratuar 40 leje të përshpejtuara për riparimin e objekteve si pasojë e tërmetit. Pas përfundimit të punimeve vetëm në këto 40 objekte do të rikthehen 1259 familje të prekura nga tërmeti.

Në lidhje me bonusin e qerasë, nga listat paraprake me 3863 emra, 2200 prej tyre kanë kaluar për likujdim në drejtorinë ekonomike. Ndërkaq vijon shqyrtimi i dokumentacionit për pjesën tjetër të këtyre listave.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *