Një avion i linjës ajrore shtetërore të Afganistanit është rrëzuar sot në provincën Ghazni të vendit. Një zëdhënës i zyrës së guvernatorit të krahinës, Arif Noori, tha se: “Një avion Boeing që i përkiste linjës ajrore Ariana të Afganistanit, është rrëzuar në zonën Sado Khel, të rrethit Deh Yak, të provincës Ghazni rreth orës 13:10.”
Zona ku është rrëzuar avioni është e kontrolluar nga talebanët. Forcat afgane speciale janë dërguar në vendngjarje.
Një tjetër zyrtar tha për Reuters se numri i viktimave është ende i paqartë. Ndërkohë gazeta Mirror shkruan se avioni kishte 80 pasagjerë në bord, fati i të cilëve nuk dihet ende.
Sipas autoriteteve afgane, avioni u rrëzua dhe shpërtheu në flakë për shkaqe teknike, por ende nuk është përcaktuar se cili ishte shkaku i saktë.