Kancelarja gjermane Angela Merkel, para takimit të sotëm me kryeministrin Edi Rama ka thënë se do të kërkojë hapjen e negociatave në Samitin e BE-së në mars.
“Mbi të gjitha, ne duam të arrihet një marrëveshje në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet kanë arritur shumë. Neë do të punojmë tani që këto arritje të marrin meritën e tyre me një rezultat në mars”- tha Merkel në një konferencë për gazetarët siç citon Reuters.
“Të dyja vendet kanë arritur shumë. Tani do të punojmë shumë për të arritur rezultatet e dëshiruara në Mars.”– shtoi kancelarja.
Merkel dhe Rama u takuan sot në Berlin për të diskutuar për Konferencën e Donatorëve e cila mbahet më 17 shkurt në Berlin, ku do të mblidhen donacionet për të ndihmuar Shqipërinë të rimëkëmbet pas tërmetit të 26 nëntorit.
Sipas kryeministrit shqiptar, fatura e dëmeve kap shifrën e 1 miliard eurove.