Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka paralajmëruar se sot do të takohet me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, shkruan Gazeta Express.
Teksa ka arritur në Selinë Qendrore të partisë, Mustafa tha para mediave shkurtimisht se do të ketë takim, mirëpo, shtoi se nuk është caktuar ende ora.
Kreu i LDK-së thotë se janë duke bërë përpjekje për marrëveshje. Sipas tij, nuk ka kuptim që të vazhdohen diskutimet ndryshe.
“Po besoj që takim do të ketë, orën ende nuk e kemi caktuar. Po bëjmë përpjekje gjithmonë që të arrijmë marrëveshje, jam i përkushtuar për marrëveshje. Nuk ka kuptim që të vazhdohet ndryshe, po bëjmë përpjekje”- ka thënë Mustafa, raporton Televizioni T7.
Kujtojmë që kanë mbetur edhe disa ditë deri në përfundim të afatit prej 15 ditësh kur duhet të thirret seanca e për votim të qeverisë së re.
Është folur për takime në mes të dy partive, mirëpo, që ende nuk janë deklaruar se deri ku i kanë përafruar qëndrimet.