Emisioni ‘Fiks Fare’ denoncoi mbrëmjen e sotme zhvillimin e prostitucionit pranë shkollës së mesme ‘Ibrahim Rugova ’në Kamzë.
Denoncimi ka ardhur nga një ish-nxënës i cili tha se në lokalet ngjitur me gjimnazin ushtrohej prostitucion si dhe shitej kanabis.
I riu tha se lokalet që ofronin seks uishin pranë shkollës dhe aty shkonin edhe nxënës 15 e 16 vjeçarë.
‘Në këto lokale rrinë disa pleq, sa për mos të rënë në sy që është lokal femrash. Pronarët i japin raki falas pleqve. Te lokali i parë është një femër që e administron, nuk kuptohet dot kush është pronari. Te lokali tjetër, klientët shkojnë atje për të bërë porosinë dhe më pas shkojnë në një hotel të fshehtë. Te lokali i parë mbajnë vetëm kameriere femra, të vijnë te tavolina, të kërkojnë çfarë do të pish. Të fërkojnë nga kofshët. Unë nëse s’dua të pi gjë, i them ‘dua një respekt’. Kodi është dua respekt.’ thotë denoncuesi që pohon se pazaret i bën kamarierja.
I riu denoncon edhe shitjen e lëndëve narkotike pranë shkollave,madje edhe brenda tyre.
‘Ka nxënës që vijnë në shkollë me kavanoza. Ata shesin hashash edhe kokainë. Kokaina shitet edhe afër shkollës” thotë ai, ndërsa pohon se hashashi është zinxhir; e blej me 3 mijë lekë, ja shes një shoku me 5 mijë lekë. Më pas shitet brenda në shkollë. Bazat e prostitucionit i di dhe policia.’ thotë denoncuesi.