Vendosni fjalën kyçe....

Jorida Tabaku: Shifra 1 miliard euro është abuzive, kryeministrit s’i besoj për shifrat


Ish-deputetja Jorida Tabaku, thotë se është abuzive shifra prej 1 miliard euro që kryeministri Edi Rama pretendon se është dëmi i shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ndërsa ishte e ftuar në “Euronews Albania”, Tabaku tha se shifra prej 1 miliard eurosh duhet marrë me spekticizëm.

 “Shifra prej 1 miliard euro është abuzive sepse nuk kemi parë ende një raport zyrtar dhe një analizë zyrtare të dëmeve. Shpresoj që të kenë një raport, sepse shpeshherë, sidomos Rama, abuzon me këto shifra. Shifra është 25% e buxhetit vjetor.

Dua të të kujtoj dy raste, rasti i tërmetit në Aquila, ka patur një dëm prej rreth 4.5 miliardë eurosh, është qytet antik, me ndërtesa të vjetra të mbrojtura nga Unesco. Ndërkohë e njëjta gjë ka ndodhur në Amatriçe, po në Itali. Renzi kërkoi të njëjtën shifër pra 4.5 dhe arriti që të marrë 1.2 miliardë euro. Në këtë raste është e rëndësishme ndihma e vendeve mike.

E rëndësishme është që të menaxhohet së pari puna së brendshmi, sepse nuk mund të varim shpresën se do të ndodhi diçka në Konferencën e Donatorëve. Sigurisht që do të ndodhë diçka, nuk e kanë lënë kurrë vetëm Shqipërinë.

Kur vjen puna te shifrat, Kryeministrit nuk i besoj fare. Kemi një eksperiencë 6-vjeçare për këtë.

Hapësirat për të ndihmuar njerëz janë në buxhetin e shtetit. Sepse sipas të dhënave të Kontrollit të Lartë të Shtet, ¼ e buxhetit zhduket. Pra, çdo katër vite zhduket një buxhet i shtetit”, tha Tabaku.

Sipas ish-deputetes, opozita nuk ka bërë në asnjë moment fasadë lidhur me situatën e krijuar pas tërmetit, por se ka dhënë opsionet e saj që nga dita e parë.

Ajo kujton paketën me 5 pika për të dalë nga situata dhe propozimin për të gjetur hapësirë në buxhet.

“Asgjë nga këto nuk u mor parasysh, dhe buxheti i shtetit u miratua me nxitim pa asnjë ndryshim. Opozita kaq mund të bënte. Përgjegjësia është që të ofrojmë alternativën tonë, dhe të mos përdorim fatkeqësinë për qëllime politike.”- shtoi më tej Tabaku.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *