Ndërsa Kina lufton për ndalimin e përhapjes së koronavirusit, banorët e qytetit Wuhan, që është vënë në karantinë kanë dalë në ballkone duke kënduar: ‘Wuhan, ti mund t’ia dalësh.’
Qyteti ku jetojnë rreth 11 milionë banorë, ishte epiqendra e shpërthimit të koronavirusit, që tani është përhapur në të gjithë globin. Atyre u është thënë që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre pasi autoritetet po luftojnë për të vënë nën kontroll shpërthimin.
Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara të koronavirusit në Kinë ishte rritur në 4,515 që nga 27 janari, ndërsa numri i vdekjeve u rrit në 106 pasi numri i infeksioneve të reja brenda një dite pothuajse u dyfishua.
Kina ka ndërmarrë masa të jashtëzakonshme për të frenuar shpërthimin, përfshirë karantinën e lartpërmendur të të gjithë qytetit të Wuhan-it si dhe ndërtimin e një spitali krejtësisht të ri për strehimin e të infektuarve, i cili pritet të përfundojë deri më 3 shkurt.