Javë më parë PD akuzonte se shembja e disa godinave në Qytet Studenti, fshihte pas një aferë korruptive pas të cilës qëndronte kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili kërkonte të ndërtonte me PPP.
Ditën e djeshme, në Fletoren Zyrtare u publikua vendimi që Kampusi Universitar do të jepet me PPP, pikërisht ashtu siç kishte deklaruar opozita se do të ndodhte.
PD ka reaguar përmes një njoftimi për mediat, ku e konsideron publikimin në fletoren zyrtare si fakt që vërteton akuzat e deritanishme.
“Vertetohet denoncimi i Partise Demokratike se prishja e godinave në Qytetin Studenti ishte nje afere korruptive dhe pas saj qendron Erjon Veliaj. Dokumenti publikohet ne Fletoren Zyrtare.
Partia Demokratike denoncoi disa javë më parë që prishja e godinave në Qytetin Studenti kishte pas saj një aferë korruptive.
Dje, dokumenti i publikuar në Fletoren Zyrtare, konfirmoi se Kampusi Universitar do të jepet me PPP dhe, si kudo, pas kësaj afere qëndron Erjon Veliaj.
Sa herë bëhet fjalë për një leje ndërtimi, një koncesion/PPP abuziv, prishje dhe nxjerrje nga shtepitë, kudo është dora e tij!
Përveç shëndetësisë, rrugëve, mbetjeve, tani i erdhi radha edhe arsimit që të koncesionohet!”– thuhet në njoftimin e PD-së.
Në vendimin e firmosur nga zëvendëskryeministri Erion Braçe, bashkia e Tiranës njihet si kontraktor dhe i jepet e drejta për të ndërmarrë e për të zhvilluar procedurat për dhënien me koncesion/partneritet publik privat të tre projekteve: “Ndërtimi i kampusit të ri të Universitetit të Tiranës”, “Ndërtimi i godinës së Universitetit të Arteve të Tiranës” dhe “Ndërtimi i korpusit të Policisë së Shtetit”./Hashtag.al