Vendosni fjalën kyçe....

Shkencëtarët australianë të parët që rikrijojnë koronavirusin jashtë Kinës


Shkencëtarët në Australi janë të parët që kanë arritur të rikrijojnë koronavirusin e ri jashtë Kinës, në atë që ata e kanë quajtur një “përparim të rëndësishëm”.

Zbulimi do të ndahet me Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH) me shpresën se mund të ndihmojë përpjekjet për të diagnostikuar dhe trajtuar virusin, shkruan BBC.

Shkencëtarët në Kinë gjithashtu kanë rikrijuar virusin dhe kanë ndarë sekuencën e tij të gjenomit, por jo vetë virusin.

Përhapja e koronavirusit ka vrarë 132 njerëz në Kinë ndërsa janë infektuar afër 6,000.

Ka të paktën 47 raste të konfirmuara në 16 vende të tjera, përfshirë në Tajlandë, Francë, SHBA dhe Australi. Deri më tani asnjë vdekje nuk është raportuar jashtë Kinës.

Studiuesit në një laborator të specializuar në Melbourne, thanë që ata ishin në gjendje të krijonin një kopje të virusit nga një pacient i infektuar. Mostra iu dërgua atyre të premten e kaluar.

“Ne kemi planifikuar për një incident si ky për shumë, shumë vite dhe kjo është arsyeja pse ne kemi qenë në gjendje të marrim një përgjigje kaq shpejt“- tha Dr Mike Catton nga Instituti Peter Doherty për Infeksion dhe Imunitet.

Mjekët thanë që kopja mund të përdoret si “material kontrolli” për testimin dhe “do të jetë kthejë lojën për diagnostikimin”.

Kjo mund të përfshijë një test të diagnostikimit të hershëm i cili mund të zbulojë virusin te njerëzit që nuk kanë shfaqur simptoma.

Autoritetet kineze kanë thënë që virusi, si një grip normal është në gjendje të përhapet gjatë periudhës së tij të inkubacionit. Por OBSH ka thënë se mbetet e paqartë nëse është ngjitës para shfaqjes së simptomave.

“Një test i antitrupave do të na lejojë të testojmë në mënyrë retrospektive pacientët e dyshuar, në mënyrë që të mund të mbledhim një panoramë më të saktë se sa është i përhapur virusi, dhe rrjedhimisht, cila është shkalla e vërtetë e vdekshmërisë”– tha Dr Catton.

“Ai gjithashtu do të ndihmojë në vlerësimin e efektivitetit të vaksinave.”-vazhdoi ai.

Sipas OBSH-së, periudha e inkubacionit mund të shkojë nga dy deri në 10 ditë. Ditët e fundit, numri i rasteve të virusit në Kinë është rritur me shpejtësi, megjithëse autoritetet po përpiqen të kontrollojnë përhapjen e tij.

Autoritetet kineze kanë mbyllur qytetin e Wuhan-it në provincën Hubei, nga ku ka origjinën virusi, si dhe qytetet përreth.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *