Fenomeni i plakjes së popullsisë po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në Shqipëri, nxitur nga emigracioni dhe rënia e lindshmërisë. Por për fat të keq, Shqipëria së bashku me vendet e tjera të rajonit bëjnë pjesë në grupin e shteteve me popullsi të vjetër dhe të varfër njëkohësisht. Sipas Economic Demography Matrix shtetet mund të ndahen sipas katër profileve demografike të dallueshme: vende me popullsi të re dhe të pasur, vende me popullsi të vjetër dhe të pasur; vende me popullsi të vjetër dhe të varfër; dhe vende me popullsi të re dhe të varfër.
Në grupimin e parë, të vendeve me popullsi të re dhe të pasur përfshihen vendet arabe, të cilët u pasuruan me shpejtësi në 50 vitet e fundit prej burimeve të naftës, ndryshe arit të zi.
Në grupimin e dytë, të vendeve me popullsi të pasur por të moshuar, përfshihen vendet e zhvilluara, Amerika e Veriut me Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Amerikën e Jugut, vetëm Kili, pjesa më e madhe e shteteve të Bashkimit Europian (kryesisht Perëndimore dhe Veriore), Japonia, Australia dhe Zelanda e Re.
Në vendet me popullsi të re dhe të varfër, bëjnë pjesë kryesisht vendet e botës së tretë Meksika, Kolumbia dhe Venezuela, shumica dërrmuese e vendeve të Afrikës, vendet e lindjes së mesme, India.
Ndërsa në grupin ku bëjmë pjesë dhe ne, vende me popullsi të moshuar dhe të varfër, janë përfshirë pjesa më e madhe e vendeve ish-komuniste të Europës Lindore, të cilat përveç varfërisë, po vuajnë edhe ndryshimet demografike.
Më shumë se 80% e PBB-së globale është e gjeneruar nga shtetet, popullsia e të cilëve po plaket shpejt. Mënyra si ndërtojnë ekonomitë, veçanërisht në drejtimin politik, do të jetë një faktor i rëndësishëm për të kuptuar trendët ekonomike dhe politike.
Azia Veri-Lindore është në krye të kurbës. Japonia ka popullsinë më të vjetër në botë me të ardhurat më të larta, ndërkohë Kina, një vend në zhvillim, është vendi i popullsisë më të madhe dhe të vjetër dhe popullsia e tij po plaket me shpejtësi.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al