Vendosni fjalën kyçe....

Pengmarrja dhe zhdukja e Prengës, policia reagon sërish për të sqaruar opinion publik


Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me ngjarjen për pengmarrjen me pasojë vdekjen të shtetasit Jan Prenga.

Sipas policisë, nga informacionet e siguruara nga hetimi u krijua bindje se Prenga mbajej peng në resortin në Shijak ku he më pas u krye operacioni ku mbetën të arrestuar disa persona.

Njoftimi i plotë:

Sqarim për opinionin publik, në lidhje me pengmarrjen me pasojë vdekjen e shtetasit J. P. dhe punën e Policisë nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Nisur nga publikimi i disa lajmeve në disa media vizive dhe të shkruara, në lidhje me veprimet e kryera nga ana e Policisë për gjetjen e shtetasit të marrë peng më datë 17 janar 2020, si dhe mbi spekulimin në lidhje me dinamikën e ngjarjes, informojmë opinionin publik se lajmet janë tërësisht të pavërteta.

Në lidhje me këtë ngjarje Policia e Shtetit ka informuar publikun e gjerë nëpërmjet zëdhënësit të saj mbi ecurinë e veprimeve procedurale të kryera në vazhdimësi, në lidhje me pengmarrjen e shtetasit J. P.

Grupi i posaçëm hetimor, pasi siguroi informacione nga burime policore dhe duke përdorur të gjitha teknikat speciale të hetimit të miratuara nga Prokuroria dhe Gjykata në përfundim të analizimit të informacioneve të siguruara krijoi bindjen e plotë të bazuar mbi prova se shtetasi J. P. mund të mbahej peng në resortin në pronësi të shtetasit A. H., banues në Shijak.

Mbi bazën e këtyre informacioneve u hartua plan-operacioni dhe u zhvillua operacioni policor i koduar “Resorti”.

Duam të theksojmë se Policia e Shtetit disponon prova të pakundërshtueshme se shtetasi J. P. ka ndërruar jetë më datë 17 janar, pra ditën e rrëmbimit, dhe se në resort është dërguar pa shenja jete.

Strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me prokurorinë, vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë krim, si dhe për gjetjen e trupit të shtetasit J. P.

Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij hetimi, si dhe shqetësimin e familjarëve, të cilët janë duke pritur për gjetjen e trupit të shtetasit J. P., kërkojmë mirëkuptimin e gazetarëve dhe analistëve që të mos publikojnë të dhëna të pavërteta që dëmtojnë ecurinë e hetimeve dhe shkaktojnë akoma më shumë traumë psikologjike tek familjarët, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre për publikimet e lajmeve të pavërteta dhe lidhje të tyre me këtë ngjarje.

Policia e Shtetit është e hapur për të bashkëpunuar me median dhe publikun, por gjithmonë në hapësirat e lejuara nga ligji dhe në interes të së mirës së përgjithshme.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *