Prej orës 16:00, në Kuvend të Kosovës është përcaktuar të mbahet takimi i kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe përfaqësuesve të Listës Serbe, shkruan Gazeta Express
Takimin gjatë ditës e kanë konfirmuar edhe në partinë e udhëhequr nga Albin Kurti.
Nga LV-ja kanë deklaruar se ky takim me Listën Serbe është në kuadër të bisedimeve për krijimin e qeverisë së re.
“Kryetari Albin Kurti, në kuadër të bisedimeve për të krijuar qeverinë, përveç diskutimeve intensive me partnerin kryesor qeverisës, LDK-në, do të takohet edhe me përfaqësuesit parlamentarë të minoriteteve, përfshirë edhe minoritetin serb. “Me këta të fundit do të diskutohet programi qeverisës sidomos në fushat që kanë impakt në jetën e këtij komuniteti. Po ashtu do të diskutohet edhe për propozimet e z. Kurti sa i përket drejtuesit të ministrisë që do të drejtohet nga dikush prej minoritetit serb, siç garanton Kushtetuta”, është bërë e ditur nga zyra për media e LV-së.
Ndryshe, sot nuk është paraparë të mbahet ndonjë takim në mes të Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.
Takimi i fundit ishte ai në praninë e ambasadorëve të vendeve të QUINT-it që rezultoi pa marrëveshje.