Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar lidhur me akuzat e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, se kryeministri Rama e ka detyruar të paguajë taksa rrugore gjatë vizitave të tij në Shqipëri.
Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, ministria e Jashtme shqiptare tha se se të gjitha autoritetet e nivelit të lartë, qofshin shqiptare apo jo, përfshirë edhe delegacione të nivelit të lartë në vizita zyrtare nuk janë të përjashtuar nga taksa rrugore.
“Nuk cenohet siguria sepse autoriteti i nivelit të lartë shoqërohet nga Garda e Republikës. Nëse ngrihen shqetësime mbi sigurinë e autoritetit atëherë ky shqetësim i përcillet zyrtarisht ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe kërkohet që Garda e Republikës të rrisë masat e sigurisë në varësi të nivelit të kërcënimit që i kanoset autoritetit të huaj gjatë gjithë qëndrimit në territorin e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Jashtme.
Ramush Haradinaj, tha të martën në një intervistë për televizionin T7 në Prishtinë, se autokolona e tij është ndalur dhe detyruar të paguajë tarifën rrugore të Shqipërisë.
“Shqipëria e ndal kryeministrin e Kosovës në autorrugë, nuk më kanë ndalur as Maqedonia e as Bullgaria, ju siguroj, nuk më kanë ndalur, si e kanë marrë vesh që është makina e kryeministrit, ka dalë polici, nuk të vonon sepse nuk duhet, nuk parashihet janë këto protokolle të sigurisë. Për shembull pyetja shtrohet, a paguan Edi Rama kur të vjen nga andej? Nëse ai nuk paguan si kryeministër pse e trajton kryeministrin e Kosovës ndryshe? Unë jam duke e thënë një të vërtetë, kësaj here kemi qenë duke shkuar në një intervistë në Shqipëri, kanë qenë dy makina të policisë shqiptare, një xhip dhe një makinë lokale, u ndal krejt dhe unë thashë çka ndodhi, sa herë që kam shkuar si kryeministër mua më kanë ndalur të bëj aty pagesën”, tha Haradinaj.
Muajt e fundit përplasjet mes Haradinajt dhe Ramës janë rritur, pasi ky i fundit më 15 janar ngriti një padi ndaj homologut të tij.