Turqia ka filluar hetimet kundrejt eurodeputetit grek Ioannis Lagos i cili ditën e djeshme grisi flamurin turk në mes të seancës në Parlamentin Europian.
Ministri turk i Drejtësisë Abdülhamit Gül bëri me dije se është regjistruar procedimi penal ndaj Lagos për veprën penale të ‘fyerjes së vlerave kombëtare turke’, dhe pretendon që eurodeputeti mund të dënohet me 1- 3 vite burg.
Ditën e djeshme gjatë një seance për emigracionin në Parlamentin Europian, Lagos grisi flamurin turk duke akuzuar Presidentin Erdogan se po lejon qëllimisht emigrantë ilegalë të kalojnë drejt Greqisë e cila është një anëtare e BE.
Eurodeputeti i cili për 7 vite ka qenë deputet në parlamentin grek nën siglën e partisë neonaziste greke ‘Agimi i Artë’ është shfaqur skeptik ndaj Parlamentit Europian, duke akuzuar se po ndihmon më shumë Turqinë që është jashtë BE-së sesa Greqinë që është në BE.