Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, ka hedhur poshtë thirrjet nga unioni mjekësor në vend për të mbyllur kufirin me Kinën kontinentale, për të shmangur rrezikun e përhapjes së koronavirusit të ri dhe i bëri thirrje stafit shëndetësor që të mos vijojnë me kërcënimet për grevë.
Aleanca e Punonjësve të Autoritetit Spitalor tha se 6.500 nga anëtarët e saj do të dilnin në grevë nëse kufiri qëndronte i hapur, një ditë pasi OBSH shpalli një emergjencë globale për shkak të virusit.
OBSH rekomandoi që të gjitha vendet të përpiqen të parandalojnë ose zvogëlojnë përhapjen ndërkufitare të sëmundjes, e cila origjinën e ka në qytetin qendror kinez, Wuhan. OBSH theksoi që masat duhet të shmangin ndërhyrjen e panevojshme në tregti ose udhëtime.
“Kam frikë se mbyllja e kufirit bie në kundërshtim me sugjerimin e OBSH-së… që u kërkon qeverive të mos ndërmarrin asnjë masë që mund të nxisë diskriminimin”– tha Lam një konferencë për shtyp, citon Reuters.
Ndërsa bënte këtë deklaratë, Carrie Lam mbante një maskë në fytyrë.
Ajo njoftoi një seri masash të reja kundër sëmundjes dhe tha se çdo veprim industrial nga personeli mjekësor vetëm sa do ta përkeqësonte situatën.
“Në fund të ditës ata që do të vuajnë do të jenë qytetarët tanë në Hong Kong dhe sistemi i shëndetit publik”- tha ajo.
Autoritetet kanë konfirmuar 12 raste në Hong Kong, por pa viktima. Numri i rasteve të konfirmuara në Kinë është rritur përtej numrit 9.800, dhe 213 njerëz kanë vdekur, të gjithë në Kinë.