Vendosni fjalën kyçe....

Ilir Meta: Rastet në Itali tregojnë se jemi seriozisht të ekspozuar nga koronavirusi, koha të merren masa më të forta


Pas dy rasteve të konfirmuara me koronavirus në Itali, presidenti i vendit Ilir Meta mendon se Shqipëria është seriozisht e ekspozuar.

Në një deklaratë për mediat, presidenti kërkoi marrjen e masave më të forta në mënyrë që të parandalohet depërtimi i koronavirusit në Shqipëri.

 “Mendoj se pas shpalljes së gjendjes së emergjencës në nivel global nga OBSH duhen marrë masat më të forta të mundshme sanitare dhe epidemiologjike për të parandaluar këtë virus për të penetruar në vendin tonë. Aq më tepër kur janë konstatuar dy raste në Italinë fqinje por ndoshta dhe në vende të tjera pranë nesh. Mendoj se është koha për të marrë masat më të forta. Shqipëria ka një eksperiencë me raste të tilla, sikurse ka qenë parandalimi i suksesshëm i SARS-it dikur por është e rëndësishme të theksohet që çdo nënvlerësim mund të jetë me pasoja kritike dhe unë shpresoj dhe inkurajoj marrjen e masave më të forta parandaluese.”– tha Meta.

Duke sjellë si shembull rastin me SARS-in, Meta theksoi se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të parandalojë depërtimin e koronavirusit në vend, në rast se të gjithë bëjnë detyrën me përgjegjshmëri maksimale.

“Jemi në një proces komunikimi. Mendoj se rastet në Itali dhe ndoshta dhe një rast në një vend tjetër fqinj e tregojnë shumë qartë që ne jemi seriozisht të ekspozuar dhe duhet të parandalojmë me çdo kusht dhe me çdo mjet depërtimin e virusit në vendin tonë, ashtu sikurse Shqipëria ka qenë shumë e suksesshme në parandalimin e SARS-it para 16-17 vitesh dhe ne i kemi të gjitha mundësitë, në rast se të gjithë bëjnë detyrën me përgjegjshmëri maksimale.”- shton presidenti.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *